Rritja e eksporteve të mineraleve, të ardhurat nga renta mbi 1 miliard lekë

Ekonomi | 5 vite më parë

Rritja e eksporteve të mineraleve me rreth 20 mijë ton, gjatë 5 muajve të parë të këtij viti bëri që të ardhurat e mbledhura në buxhet përmes rentës të shënojnë rritje me 174 milionë lekë, krahasuar me 5-mujorin e 2020-s, duke arritur në total mbi 1 miliard lekë.

Në të njëjtën periudhë të 2020-s u mblodhën në buxhet përmes rentës minerare 790 milionë lekë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, rritja u ndikua edhe nga rritja e çmimit të mineraleve në tregjet ndërkombëtare të bursës me rreth 50%.

Në raportin e tregtisë së jashtme INSTAT bëri të ditur se eksportet e mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike shënuan rritje me 18,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa në vlerë ato llogariten 24,7 miliardë lekë nga 15,5 miliardë lekë që ishin në 5-mujorin e 2019-ës.

Referuar INSTAT, gati 1/3 e eksporteve të mineraleve shkuan drejt Spanjës. Në vlerë eksportet e mineraleve drejt Spanjës llogariten 8,6 miliardë lekë.

Qeveria shqiptare miratoi në fund të vitit që shkoi zerimin e rentës minerare për një periudhë 3-vjeçare grupin e mineraleve metalore që përpunohen në vend. Zerimi i rentës minerare u bë me qëllim zhvillimin e industrisë përpunuese dhe racionalizimin e shfrytëzimit të burimeve natyrore dhe frenimin e eksportimit të mineralit bruto të papërpunuar me vlerë të ulët.

Në grupin e mineraleve metalore që preken nga ky projektligj përfshihen kromi dhe bakri. Ky është grupi më i rëndësishëm i mineraleve, që përfaqëson rreth 85% të investimeve që realizohen çdo vit në industrinë minerale. Brenda këtij grupi, minerali kromit ka peshën më të madhe me rreth 80% të investimeve


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme