Rritje çmimesh dhe kurs i ulët i USD dhe EURO

Edhe pse në Shqipëri, në periudhën e fundit, ka një forcim të monedhës shqiptare dhe rënie të konsiderueshme të valutave të huaja, kjo nuk reflektohet në çmimet e produkteve dhe shërbimeve. Të ardhurat buxhetore po rriten edhe prej importeve me çmime të larta dhe kjo situatë sinjalizon rritje të çmimeve në tregun vendas në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme
Banka e Shqipërisë arsyetoi se rritja e të ardhurave buxhetore në 6 mujorin e parë të vitit 2021 erdhi si rrjedhojë e dy faktorëve: Së pari rritjes së importeve dhe së dyti rritjes së çmimit të tyre, duke ndikuar në më shumë arkëtime nga TVSH-ja të tarifat doganore. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, të ardhurat totale për 7-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 281.4 miliardë ose 102 % të planit të 7-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të adhurat kanë rritje prej 47.7 miliardë lekë.
Sipas Bankës së Shqipërisë zhvillimi lidhet me kontributin e lartë të të ardhurave nga TVSH-ja në rritjen e totalit.
Importet e mallrave u rritën me 44.1% në terma vjetorë.
Përveç sasisë më të lartë, mallrat që po hyjnë në Shqipëri po zhdoganohen me çmime më të larta se vitet e kaluara. Çmimi i naftës ka tejkaluar nivelet e periudhës para pandemisë, ndërsa çmimet e metaleve dhe të ushqimeve kanë arritur vlera historike ndër vitet e fundit. Edhe çmimet e produkteve bujqësore kanë njohur rritje të vazhdueshme që prej mesit të vitit të kaluar. indeksi i çmimeve të ushqimeve u rrit me 39% në muajin qershor, nga një vit më parë. Për rrjedhojë të ardhurat buxhetore janë ndikuar pozitivisht, por kjo situatë sinjalizon rritje të çmimeve në tregun vendas në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme.
Kësaj situate i përgjigjet në të kundërt çmimi i monedhës shqiptare. Vini re mbiçmimin e lekut në raport me euron dhe dollarin.
Grafikët duhet të tregonin rënie të çmimit të produkteve dhe shërbimeve në treg, por ato tregojnë të kundërtën. Shikoni tendencën e inflacionit në muajt e fundit, që duhet të sinjalizonte rënien e çmimeve, por ekspertët analizojnë se pavarësisht këtyre faktorëve pritet rritje e çmimeve në tregun vendas.
Fitimet e siguruara nga kjo situatë shkojnë në dy drejtime, në më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit dhe shifrat e konfirmojnë këtë dhe në më shumë fitim për importuesit. Humbësit e mëdhënj vijojnë të mbeten konsumatorët dhe përfituesit e shërbimeve, që ndërsa duhet të paguanin kosto të ulta për shkak të kursimt të këmbimit, paguajnë dyfish kosto, në çmimet e produkteve dhe shërbimeve dhe në përfitime minimale nga depozitat e kursimeve të tyre.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




