Rubio do të takohet Papa Leonin në Vatikan për të lehtësuar tensionet pas replikave të Trump

Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, mbërriti këtë mëngjes në Romë për një vizitë dyditore në Itali dhe Vatikan. Rubio pritet të takohet me Papa Leonin në Pallatin Apostolik, në një përpjekje për të ulur tensionet e krijuara pas kritikave të përsëritura të presidentit Donald Trump ndaj papës së parë nga Amerika e Veriut.
Marrëdhëniet mes Selisë së Shenjtë dhe Uashingtonit janë në një pikë të paprecedentë tensioni.
Trump akuzoi papën për mbështetje të armëve bërthamore dhe për “rrezikimin e shumë katolikëve” me qëndrimin e tij kundër luftës në Iran. Papa Leo reagoi duke theksuar se Kisha ka folur prej vitesh kundër armëve bërthamore dhe se mesazhi i tij është i lidhur me vlerën e fjalës së Zotit.
Rubio, nga ana e tij, minimizoi përplasjen duke thënë se kritikat e presidentit lidhen me shqetësimin për mundësinë që Irani të zhvillojë një armë bërthamore, e cila sipas tij do të përbënte rrezik për miliona katolikë në mbarë botën.
Gjatë qëndrimit në Itali, Rubio do të zhvillojë takime edhe me qeverinë italiane. Të premten, ai pritet të takohet me kryeministren Giorgia Meloni, në një kohë kur edhe raportet mes Romës dhe Uashingtonit janë përkeqësuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




