Rumania mbështet embargon ndaj naftës ruse

Rajon | 5 vite më parë

Rumania mbështet propozimin e Komisionit Evropian për të ndaluar importet e naftës nga Rusia, tha presidenti Klaus Iohannis. Rumania është e përgatitur për këtë situatë, siguroi ai, njoftoi Radio Romania Actualitati, së cilës i referohet Romania Insider.

Disa nga vendet lindore të Evropës, si Sllovakia dhe Hungaria, shprehën shqetësime për ndikimin ekonomik të një mase të tillë. Ekonomitë kryesore në Evropë paralajmëruan gjithashtu për ndikimin.

“Nafta ruse mund të zëvendësohet në tregun botëror në një afat të shkurtër, por me kosto shtesë dhe sfida logjistike,” tha grupi tregtar i industrisë gjermane BDI menjëherë pasi Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen njoftoi ndalimin e propozuar, si pjesë e një pakete të re të sanksioneve kundër Rusisë më 4 maj. “Duke pasur parasysh embargon e naftës, çmimet e energjisë ndoshta do të vazhdojnë të rriten,” tha BDI.

Rumania importon rreth 70% të naftës që përpunon, por nga kjo vetëm një e treta vjen nga Rusia.

Nga ana tjetër, KazMunayGaz, e cila operon rafinerinë më të madhe në vend, importon naftë nga Kazakistani përmes portit rus Novorosiisk dhe tubacionit të operuar nga Konsorciumi i Gazsjellësit Caspian (CPC). Të dyja mund të bien nën kontrollin rus në rast se situata përkeqësohet.

OMV Petrom tashmë ka njoftuar se nuk po përdor më naftë ruse, megjithëse kjo kërkon kosto më të larta.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme