Rusia godet me raketa një bllok apartamentesh në një qytet në lindje të Ukrainës, të paktën 15 viktima

Të paktën 15 persona janë vrarë dhe rreth 20 të tjerë dyshohet se kanë mbetur nën rrënoja pasi raketat ruse goditën një bllok apartamentesh në Chasiv Yar, një qytet në Ukrainën lindore. Pesë persona janë nxjerrë të gjallë.
Guvernatori i rajonit Pavlo Kyrylenko tha se shkatërrimi u shkaktua nga raketat ruse Uragan.
Në jug, forcat ukrainase hodhën raketa të dielën në qytetin Kherson. Raportet nga të dyja palët janë kontradiktore: një zyrtar ukrainas tha se një bazë ushtarake ruse u godit, ndërsa raportet ruse thonë se një spital u dëmtua dhe një shtëpi u shkatërrua.
Serhiy Bratchuk, një zyrtar i lartë ukrainas me bazë në Odesa, pretendoi se forcat ukrainase “goditën bazën e pushtuesve në rajonin e Khersonit” dhe postoi një foto që me sa duket tregon një shtëllungë të madhe tymi mbi Kherson.
Agjencia ruse e lajmeve Tass tha se sistemi i mbrojtjes ajrore të Khersonit u kundërpërgjigj dhe katër shpërthime u dëgjuan në qytet. Ai tha se një raketë ukrainase shkatërroi një shtëpi, duke plagosur dy persona. Dhe një faqe ruse e lajmeve, Khersonsky Vyestnik, tha se një spital u dëmtua në sulmin ukrainas./ BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




