Rusia merr drejtimin e Këshillit të Sigurimit, Kievi: Shakaja më e keqe në botë për 1 prillin

Botë | 4 vite më parë

Rusia e cila po drejtohet nga Vladimir Putin, i cili akuzohet për krime lufte kur ka hyrë në vitin e dytë të luftës në Ukrainë, pritet të marrë presidencën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, organit më të fuqishëm që është i ngarkuar me ruajtjen e paqes dhe sigurisë globale.

Kjo nuk është pritur aspak mirë nga zyrtarët ukrainas. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba e ka konsideruar marrjen e presidencës së Këshillit nga Rusia më 1 prill, në vitin e dytë të pushtimit të Ukrainës, si “shakaja më e keqe e 1 prillit”.

“Vendi që shkel në mënyrë sistematike të gjitha rregullat themelore të sigurisë ndërkombëtare po kryeson një organ, misioni i vetëm i të cilit është të ruajë dhe mbrojë sigurinë ndërkombëtare”, tha Kuleba.

Presidenca e Këshillit të Sigurimit drejtohet sipas alfabetit midis 15 vendeve anëtare. Ajo kontrollohet nga pesë anëtarët e tij të përhershëm, duke përfshirë SHBA-në dhe Rusinë, transmeton CNN. 

Trupi diplomatik i OKB-së është i vetëdijshëm për skepticizmin publik për Rusinë që drejton këshillin ndërsa ushtria e saj pushton pjesë të Ukrainës, një vend anëtar i OKB-së.

Drejtuesi i radhës së Këshillit të Sigurimit supozohet të qëndrojë neutral, por në rolin e saj të ri, Rusia mund të manovrojë takimet për Ukrainën dhe ta përdorë muajin prill për të portretizuar SHBA-në dhe vendet e tjera perëndimore, se kanë adresuar akuza të rreme ndaj Moskës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme