Rusia tërheq trupat ushtarake nga qyteti kryesor ukrainas, Kherson

Botë | 4 vite më parë

Ushtria ruse është urdhëruar të tërhiqet nga qyteti ukrainas Kherson, i vetmi kryeqytet rajonal që ishte pushtuar që nga fillimi luftës në muajin shkurt nga Rusia.

Komandanti rus në Ukrainë, gjenerali Sergei Surovikin, deklaroi se nuk ishte e mundur të vazhdohej më tej me furnizimin e qytetit. Kjo tërheqje do të thotë se forcat ruse do të largohen tërësisht edhe nga bregu perëndimor i lumit Dnipro. Kjo është një goditje e rëndë për Rusinë, e cila po përballet me një kundërofensivë të Ukrainës.

“Opsioni më i arsyeshëm është organizimi i mbrojtjes përgjatë lumit Dnipro,”- tha gjenerali Surovikin, në një takim me udhëheqës të lartë ushtarakë.

Njoftimi erdhi menjëherë pasi mediat ruse thanë se nënkryetari i Khersonit, Kirill Stremousov, ishte vrarë në një aksident automobilistik.  I parë si një nga nxitësit kryesorë të pushtimit të Khersonit, ai kishte paralajmëruar vetëm gjashtë ditë më parë se kishte “më shumë gjasa” që forcat ruse të kalonin në bregun lindor.

Edhe pse përparimi ukrainas ishte ngadalësuar javët e fundit, linjat e furnizimit të Rusisë nëpër Dnipro ishin bërë gjithnjë e më të vështira, pasi ata  shkatërroheshin nga raketat ukrainase, të cilat hodhën në erë edhe disa ura përgjatë lumit Dnipro.

Përpara tërheqjes, Rusia zhvendosi mijëra civilë jashtë qytetit nëpërmjet anijeve. Ukraina e dënoi këtë akt dhe e vlerësoi si “dëbim i detyruar”. BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme