Sa po i kushton Evropës ndotja e ajrit?

Sa na kushton në aspektin ekonomik ndotja e ajrit, e shkaktuar nga aktivitetet e njeriut? Një studim i Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), vlerëson se bazuar në të dhënat e emetimeve të mbledhura nga Regjistri Evropian të Emetimit dhe Transferimit të Ndotësve (E-PRTR), kostot sociale të ndotjes së ajrit janë ende jashtëzakonisht të larta, pavarësisht përpjekjeve të ndërmarra për t’i reduktuar emetimet në atmosferë. Në total, vlerësohet se ndotja e ajrit dhe gazrat serë të emetuara nga vendet e mëdha industriale në Evropë, i kanë kushtuar shoqërisë 277 deri në 433 miliardë euro. Kjo është e barabartë me rreth 2-3 për qind të PBB-së së Bashkimit Evropian, dhe është më e lartë se PBB-ja e vitit 2017 (viti i marrë në konsideratë nga studimi) i shumë shteteve anëtare të veçanta.
Ndotësit vijnë kryesisht nga Gjermania, Britania, Polonia, Spanja dhe Italia. Ndotësit kryesorë të ajrit të ekzaminuar përfshijnë grimcat (PM2.5, PM10), dioksidin e squfurit (SO2), amoniakun (NH3), oksidet e azotit (NOX), dhe përbërësit organike të paqëndrueshëm jo-metanikë (NMVOC).
Tek metalet e rënda përfshihen arseniku, kadmiumi, kromi VI, plumbi, mërkuri dhe nikeli. Ndotësit organikë të studiuar përfshijnë butadienin, benzenin, formaldehidin, hidrokarburet aromatike policiklike (PAH) dhe dioksinat. Gazrat serë (GHG) të vlerësuara janë dioksidi i karbonit, metani dhe oksidi i azotit.
Termocentralet, kryesisht me qymyr, shkaktojnë problemet më të mëdha për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin. 24 nga 30 strukturat më ndotëse janë termocentralet, ku 15 prej tyre janë të vendosura në Evropën Perëndimore dhe Veriore (7 vetëm në Gjermani), dhe 9 të tjera dhe në Evropën Lindore dhe atë Juglindore. Ndërsa termocentrali më ndotës ndodhet në Poloni, 4 nga 5 në ndotësit kryesorë janë në Gjermani. Analiza e EEA merr në konsideratë sasitë dhe përhapjen e ndotësve të ndryshëm nga burimet e tyre industriale, efektet mbi shëndetin e njerëzve, ekosistemet, klimën dhe bujqësinë.
Shumica e ndotësve thithen direkt përmes ajrit, dhe njerëzit që jetojnë në qytetet e mëdha apo rajone industriale, “përjetojnë” zakonisht më shumë ndotje sesa banorët e komuniteteve rurale. Për ndotësit e tjerë, siç janë metalet e rënda, rruga është më komplekse. Ajo mund të ndodhë përmes thithjes së ajrit, por edhe me konsumimin e ushqimit dhe pijeve të ndotura. Përveç njerëzve, ndotja e ajrit dëmton gjithashtu bimët dhe kafshët, duke ndryshuar ciklet riprodhuese dhe tek e fundit edhe biodiversitetin.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




