Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Rama publikon fotoalbumin: Ngjarje e paharrueshme

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin social Facebook fotoalbumin me liderët e BE dhe Ballkanit Perëndimor në kuadër të samitit që u mbajt në Tiranë më 6 dhjetor, duke e konsideruar një ngjarje të paharrueshme në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë.
“MIRËMËNGJES dhe me fotoalbumin e një ngjarjeje të paharrueshme në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Një reagim ka patur edhe Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila e konsideroi mbajtjen e samitit në Tiranë si një sinjal të përkushtimit të BE ndaj përkushtimit të BE ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Krenare për mbajtjen e Samitit të 1 të BE- Ballkani Perëndimor në Shqipëri si asnjëherë më parë jashtë kufijve të BE. Mirënjohje ndaj të gjithë atyre që kontribuan në mbajtjen e këtij samiti. Ky samit është një sinjal i qartë i përkushtimit të BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor”, tha Xhaçka.
Kryeministri Rama mirëpriti të martën liderët e Bashkimit Europian, të cilët për herë të parë në historinë e Europës u mblodhën së bashku për një samit jashtë kufijve të BE-së, në Shqipëri.
6 udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, Presidenti i KiE, presidentja e KE, Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin dhe Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit firmosën gjithashtu marrëveshjen për uljen e tarifave Roaming mes operatorëve të telekomunikacionit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Marrëveshja e cila do të mundësojë uljen e tarifave roaming midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor do të nis nga 1 tetori 2023.
Po ashtu, kryeministri Edi Rama, Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen pas punimeve të samitit mbajtën një konferencë të përbashkët ku theksuan se “BE nuk do të lërë kurrë vetëm Ballkanin Perëndimor dhe se së bashku janë më të fortë”.
Pas konferencës, liderët evropianë dhe ata të Ballkanit dolën me një deklaratë finale, kryefjalë e të cilave ishte agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, angazhimi i BE-së në perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane, vijueshmëria e reformave, mbështetja për dialogun Prishtinë- Beograd, paketa e mbështetjes për energjinë me 1 miliard euro, etj,.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




