Samiti i BE/ Berisha: Rama vasal i Vuçiç, anëtarësimi në BE nuk pengohet nga veto bullgare

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike i zgjedhur nga procesi i ‘Rithemelimit’, Sali Berisha në një deklaratë për media ka folur me tone të ashpra për samitin e BE në Bruksel dhe deklaratat e bëra nga Kryeministri Edi Rama për Bullgarinë dhe BE. Duke e konsideruar si udhëtimin më skandaloz të historisë 30-vjeçare të Shqipërisë, Berisha theksoi se u dëshmua se BE nuk i hap negociatat Edi Ramës. 

“Ky ishte udhëtimi më skandaloz në historinë 30-vjeçare të Shqipërisë nga një përfaqësues i saj. Ky ishte udhëtimi i cili dëshmoi përfundimisht se Edi Ramës nuk i hapin negociatat, nuk e pranojnë për interlokutor dhe se në mënyrë absolute shkak themelor nuk është Bullgaria, por siç ia tha edhe padroni i tij Aleksandër Vuçiç janë disa vende të BE-së të cilat nuk janë dakord me hapjen e negociatave me Shqipërinë”, tha Berisha.

Ai deklaroi më tej se fakti që Rama pozicionohet krah presidentit serb Aleksandër Vuçiç është një prej arsyeve kryesore përse BE nuk hap negociatat me Shqipërinë. 

“Ka grabitur mandatin e tretë, rrokullisja në lirinë e mediave. Nëse lexoni deklaratat e Edi Ramës, faktojnë se ky njeri shkoi në Bruksel si vasal i Aleksandër Vuçiç dhe u soll atje sikur të ishte Milorak Dodik, dhe jo kryeministër i Shqipërisë. Rama është i rreshtuar me Ballkanin e Putinit. Ai u shfaq në konferencë me Vuçiçin dhe Kovaçevskin. Asgjë nuk mund ta lidhte kryeministrin e Shqipërisë me atë të Serbisë, përveç fakti se duhet të dëshmonte se ka bërë zgjedhjen e tij.“, tha Berisha.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme