Samiti i COP27/ Arrihet marrëveshja për klimën, dëmshpërblim për vendet e varfra

Konferenca e OKB-së për Klimën, COP27, përfundoi ndërsa firmosi një marrëveshje historike, për të ndihmuar vendet e varfra që janë goditur më keq nga ndryshimet klimatike.
“Nuk ishte e lehtë por më në fund e përmbushëm misionin tonë”, tha presidenti i COP27, Ministri i Jashtëm egjiptian, Sameh Shoukry.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres ka theksuar se planeti ynë është “ende në dhomën e urgjencës”. Për Guterres, bota ka ende nevojë për një hap gjigant në ambicien klimatike.
“Ne duhet të reduktojmë në mënyrë drastike emetimet tani dhe kjo është një çështje që ky COP nuk e trajtoi. Një fond për humbje dhe dëme është thelbësor por nuk është një përgjigje nëse kriza klimatike heq një shtet të vogël ishull nga harta ose e kthen një vend të tërë afrikan në shkretëtirë. Bota ka ende nevojë për një hap gjigant në ambicien klimatike. Vija e kuqe që nuk duhet të kalojmë është vija që e çon planetin tonë mbi kufirin e temperaturës 1.5C.”, tha Guterres.
Shefi i politikës klimatike të Bashkimit Evropian ka kritikuar angazhimin e disa vendeve ndaj përpjekjeve për të kufizuar temperaturat në rritje.
Temperaturat ekstreme, zjarret, thatësira dhe përmbytjet po përkeqësohen vit pas viti për shkak të ndryshimeve klimatike. Më shumë se 120 krerë shtetesh dhe qeveritarë morën pjesë në samitin e klimës COP27 në Egjipt.
Megjithatë, shumë çështje mbeten të paqarta, pasi detajet për zbatimin e vendimit, pra krijimi i fondit dhe grumbullimi i fondeve, pritet të përcaktohen nga një komision i posaçëm dhe të vendosen për miratim në COP28, në fund të 2023, në Emiratet e Bashkuara Arabe.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




