Samiti i Diasporës, Ali Ahmeti flet për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut: Përpjekje për të gërryer marrëveshjen e Ohrit

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në fjalën e tij në Samitin e Diasporës, ka theksuar rëndësinë e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar si një “rrezik të vërtetë” nëse nuk mbrohet me vendosmëri.
Deklarata e Ahmetiti vjen pas protestave të fundit të studentëve në Maqedoninë së Veriut për të kryer provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Ai kujtoi marrëveshjen e Ohrit, e firmosur me mbështetjen e SHBA, BE dhe NATO-s, teksa theksoi se çdo koment tjetër bëhet me qëllimin për ta gërryer atë.
“Sa i takon gjuhës shqipe në Maqedoni, është një rrezik i vërtetë që duhet t’i dalin zot të gjithë gjuhës që e flasin të gjithë. Gjuha shqipe në Maqedoni, me marrëveshje të nënshkruar dhe të garantuar nga SHBA-të dhe ne kemi besuar në autoritetin e SHBA-ve, BE dhe NATO-s, kemi hedhur firmën, kemi pranuar marrëveshjen e nënshkruar në Ohër dhe kemi qenë të sigurt dhe kemi punuar bashkërisht. Suksesi i marrëveshjes së Ohrit dhe arritjet, që nga simbolet kombëtare, arsimi në gjuhën shqipe, e folura në administratë e shqipes dhe përfundimi i ligjit të gjuhës shqipe që e flasin mbi 20% të qytetarëve, është gjuhë zyrtare me alfabetin e saj. Çdo koment tjetër është vetëm për ta gërryer përfundimisht marrëveshjen e Ohrit dhe për t’i ndryshuar karakterin. Përgjegjësinë e kemi të përbashkët. Maqedonia ka ardhmëri në bashkëjetesë, bashkëqeverisje vetëm me shqiptarët. Pa shqiptarët, nuk mund të mbijetojë dhe ditët i ka të numëruara”, tha Ahmeti.
Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut protestuan në Shkup duke kërkuar të drejtën për të zhvilluar provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, siç e garanton kushtetuta, por që sipas tyre nuk zbatohet në praktikë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




