Seanca e dytë në themel, Prokuroria: Meta dhe Kryemadhi, 526 mijë dollarë përfitime nga marrëdhënia korruptive me biznesmenin
Gjykata e Posaçme ka zhvilluar seancën e dytë në themel në ngarkim të ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, ku prokuroria ka paraqitur prova që lidhen me marrëdhënie të dyshuara korruptive me biznesmenin Kastriot Ismailaj dhe Adrian Shatkun.
Prokurori Sotir Kllapi iu referua kallëzimit të Romeo Karës dhe Halit Valterit, të cilët akuzojnë Metën për përfitime të paligjshme. Sipas prokurorisë, Meta ka pranuar se e njeh Ismailajn dhe ka pasur komunikime intensive me të, përfshirë mesazhe ku i kërkonte shuma parash. Në banesën e Fatime Kryemadhit, mamaja e Monika Kryemadhit, janë sekuestruar pajisje elektronike dhe dokumente që, sipas hetuesve, përmbajnë të dhëna mbi marrëveshje financiare dhe pagesa të kryera nga Ismailaj.
Prokuroria ka theksuar se Meta dhe Kryemadhi kanë pasur marrëdhënie të ngushta me Shatkun, duke ushtruar ndikim për futjen e kompanisë së tij në tregun shqiptar, përfshirë projektet e fibrave optike.
“Meta ka pranuar se e njeh Ismailajn, ka mesazhe intensive, Meta në 2009 i ka çuar SMS dhe i ka shkruar ‘dua 200’. Është bërë kontroll te banesa e Fatime Kryemadhi, janë sekuestruar një celular që u ekspertua dhe nga të dhënat rezulton se ka biseda për çështjen. Në banesë është sekuestruar mandat pagesa për një banesë në ish-Bllok. Një pjesë e çmimit është paguar nga Ismailaj. Meta e Kryemadhi kanë pasur marrëdhënie me Shatin. Meta e Kryemadhi kanë marrë përsipër të ushtrojnë presion për çështjen CEZ-DIA që kompania e Shatkun të futet në treg. Për fibrat, Shatku ka pasur interes për të ushtruar veprimtarinë për shtrimin e fibrave në Shqipëri. Monika e Ilir Meta janë angazhuar për futjen në treg të kompanisë së Shatkut, ata kanë ndikuar te Haxhinasto për të nxjerrë një urdhër 1814 dt 20 mars 2015, për ndryshimin e urdhrit të mëparshëm për shtrirjen e fibrës”, u tha në seancë.
Sipas akuzës, përmes këtyre ndërhyrjeve janë përfituar shuma të konsiderueshme parash. Kryemadhi dyshohet se ka përdorur karta krediti të lëshuara nga kompania e Shatkut, duke kryer shpenzime të mëdha në Britani dhe San Marino.
“Si rezultat i influencës kanë përfituar të ardhura në përqindje nga kompania e Shatkut, por në llogarinë e Shatkut është autorizuar Kryemadhi për një kartë krediti sekondare për përdorim nga Kryemadhi. Ka SMS që faktojnë se për 36 ditë është bërë edhe përdorimi i kartës në Britani. Në shtator 2014 Kryemadhi ka bërë blerje 12 mijë dollarë në San Marino. Ka përdorur kartat e tjera të Shatkut. 234 mijë dollarë ka shpenzuar Kryemadhi. Shuma totale që ka pasur Shatku me LSI 279 mijë dollarë. 526 mijë dollarë që Meta e Kryemadhi kanë përfituar nga marrëdhënia korruptive me Shatkun. Shuma totale e përfitimit 526 mijë dollarë. 279 mijë dollarë është financuar marrëveshja e lobimit të LSI. Kjo është shumë e pastruar për interes të Metës dhe LSI. Marrëveshje e ligjshme por e financuar me burime të paligjshme”, deklaroi Prokuroria
Avokatët e Metës kundërshtuan një pjesë të provave, duke theksuar se disa prej tyre nuk gjenden në dosjen zyrtare. Megjithatë, prokuroria insistoi se të gjitha të dhënat janë të dokumentuara dhe se hetimet kanë zbuluar pagesa periodike të kryera nga kompania e Shatkut në SHBA për llogari të LSI-së.
Seanca vijoi me paraqitjen e faturave dhe dokumenteve financiare, ndërsa procesi pritet të vazhdojë me dëgjimin e palëve dhe shqyrtimin e provave të tjera.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




