Seancë e posaçme- Nesër mblidhet Kuvendi, votohet Spiropali, priten dekretet e Begajt për ministrat e rinj

Politikë | 2 vite më parë

Socialistët duket se nuk do të humbasin kohë për të finalizuar ndryshimin në krye të parlamentit, si dhe për të votuar dekretet e Presidentit, nëse do të vijnë deri pasditen e së hënës, për ndryshimin e ministrave të propozuar nga kryeministri Rama.

Nesër (të hënën) në 18:00 bëhet e ditur se do të mbahet një seancë e posaçme në Kuvend, ku me votë të fshehtë do të votohet Elisa Spiropali, si kryetare e re e Kuvendit pas dorëheqjes së Lindita Nikollës.

Emri i Spiropalit si kandidaturë për krye parlamentare e publikoi vetë Rama në Kongresin e PS-së që u mbajt të dielën.

“Do i propozoj grupit parlamentar që në një seancë të posaçme të Kuvendit të Shqipërisë t’i japi të gjithë mbështetjen Elisa Spiropalit për të marrë drejtimin e Parlamentit” tha Rama. 

Por, kandidatura e PS-së për Spiropalin, nuk pengon edhe propozime të reja nga grupet parlamentare të opozitës për kandidatura alternative, të cilat më pas shkojnë për votim.

Dorëheqja e Lindita Nikollës si kryetare e Kuvendit, e solli në vëmendje emrin e Elisa Spiropalit, e cila prej vitesh është ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Po nesër në Kuvend socialistët do të jenë edhe në pritje të dekreteve të Presidentit, Bajram Begaj, për lirimin nga detyra dhe emëtrimin e ministrave të rinj të propozuar nga Rama.

Për ti dhënë rëndësi ngjarjes, mësohet se ka qenë vetë Rama që ka çuar në presidencë propozimet, të cilat më pas kthehen në dekrete presidenciale.

Kuvendi do të bëjë edhe dy ndryshime të tjera të rëndësishme. Nënkryetar i Kuvendit nga radhët e socialistëve do të jetë Bledi Çuçi, i cilin deri më tani ka drejtuar grupin parlamentar socialist. Në këtë pozicion Rama propozoi Niko Peleshin, i cili nuk do të jetë më ministër i Mbrojtjes.

Ndryshimet në qeveri

 Taulant Balla – Ikën nga posti i ministrit të Brendshëm. Propozohet ministër i Marrëdhënieve me Parlamentin, post i mbajtur nga Elisa Spiropali.
Ervin Hoxha- Propozohet Ministër i Brendshëm, post i mbajtur nga Taulant Balla. Hoxha mbante postin e kreut të IKMT-së. 
Petrit Malaj – Propozohet Ministër i Financave, post i mbajtur nga Ervin Mete. Malaj mbante postin e kreut të AKBN-së.
Pirro Vengu – Propozohet Ministër I Mbrojtjes, post i mbajtur nga Niko Peleshi. Vengu mbante postin e Drejtorit të Autoritetit Portual të Durrësit.

Ndryshimet në Kuvend

Elisa Spiropali – Lë postin e ministres së shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. Propozohet  Kryetare e Kuvendit pas dorëheqjes së Lindita Nikollës. 
Bledi Çuçi- Lë postin e kryetarit të grupit PS. Propozohet Nënkrytetar i parlamentit, post i mbajtur nga Ermonela Felaj.
Niko Peleshi – Lë postin e Ministrit të Mbrojtjes, propozohet  kreu i grupit PS.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme