Sejko: Inflacioni në tremujorin e tretë të këtij viti arriti nivelin 8%! Më i larti që prej vitit 1998

Inflacioni në tremujorin e tretë të këtij viti ka arritur nivelin rekord prej 8%, më i larti i regjistruar në vend që prej vitit 1998. Kështu bëri me dije Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë, duke shtuar se tashmë, pjesa më e madhe e artikujve të shportës shfaqin një normë inflacioni mbi objektivin e vendosur prej 3%.
“Inflacioni shënoi rritje të shpejtë gjatë vitit 2022, duke arritur nivelin 8% në tremujorin e tretë, nivel ky më i larti i regjistruar që prej vitit 1998. Ndonëse inflacioni në Shqipëri paraqitet i ulët, si në kontekstin rajonal dhe në atë evropian, duke pasqyruar ecurinë e fortë dhe të qëndrueshme të kursit të këmbimit dhe çmimet e rregulluara të energjisë elektrike për familjet, baza e tij ka ardhur në rritje e zgjerim. Tashmë, pjesa më e madhe e artikujve të shportës shfaqin një normë inflacioni mbi objektivin tonë prej 3%”, tha Sejko.
Duke e konsideruar ngadalësimin e ritmit të ekonomisë në të ardhmen si diçka normale, Sejko theksoi se, megjithatë, recesioni shfaqet si rrezik material vetëm në skenarë ekstremë.
“Projeksionet tona sugjerojnë se ekonomia shqiptare do vijojë të rritet në afatin e mesëm e të gjatë si dhe rezultatet e simulimeve tona sugjerojnë se sistemi bankar ka një shkallë të kënaqshme rezistence, edhe ndaj goditjeve relativisht ekstreme ekonomike dhe financiare. Ekonomia shqiptare vjen në këtë përballje me një inerci pozitive zhvillimi. Ndonëse ngadalësimi i ritmit në të ardhmen është diçka normale, rritja ekonomike pritet të mbetet pozitive, ndërsa recesioni shfaqet si rrezik material vetëm në skenarë ekstremë. Ndryshe nga eksperiencat e mëparshme, stabiliteti financiar i vendit paraqitet i konsoliduar”, tha Sejko.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




