Sekretari i Mbrojtjes së SHBA: Mbështesim Ukrainën përsa kohë të jetë e nevojshme, ky është moment vendimtar

Sekretari i Mbrojtjes së SHBA, Lloyd Austin ka shprehur mbështetjen e SHBA ndaj Ukrainës për sa kohë të nevojitet. Në fjalën hapëse në takimin e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës në Gjermani, Austin theksoi se ky është një moment vendimtar për Ukrainën, ndërsa komentoi dhe tragjedinë që ndodhi disa ditë më parë në Dnipro, ku një helikopter u rrëzua mbi një ccerdhe fëmijësh e për pasojë 14 persona humbën jetën e mes tyre dhe ministri i brendshëm ukrainas dhe 2 zyrtarë të tjerë.
“Ky është një moment vendimtar për Ukrainën në një dekadë vendimtare për botën, kështu që mos gaboni, ne do të mbështesim vetëmbrojtjen e Ukrainës për aq kohë sa të duhet. Tani, ne e dimë se Rusia mbetet e prirur ndaj agresionit dhe pushtimit. Dhe forcat ruse kanë shtuar sulmet e tyre të tmerrshme, duke vrarë shumë ukrainas të pafajshëm. Ne pamë përsëri mizorinë e zgjedhjes së luftës së Rusisë vetëm disa ditë më parë në qytetin e Dnipro”, tha Austin.
Më tej, Austin siguroi se SHBA nuk do të tërhiqet nga vendosmëria për të mbështetur Ukrainën dhe për të dënuar luftën e Rusisë. Austin thekson se Rusia po tenton të thyejë frymën e Ukrainës, por ka dështuar.
“Ky është një moment vendimtar. Rusia po rigrupohet, po rekrutohet dhe po përpiqet të ripajiset. Ky nuk është një moment për të ngadalësuar. Është një kohë për të gërmuar më thellë. Populli ukrainas po na shikon. Kremlini po na shikon. Dhe historia po na shikon. Kështu që ne nuk do të heqim dorë. Dhe ne nuk do të lëkundemi në vendosmërinë tonë për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet nga agresioni perandorak i Rusisë. SHBA mbetet e vendosur të udhëheqë dhe të bëjë pjesën tonë për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet. Sulmet e Rusisë janë krijuar për të thyer frymën e Ukrainës. Por ato kanë dështuar. Dhe populli i Ukrainës ka frymëzuar botën”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




