Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave në Shqipëri, vlerëson zhvillimin e Doganës shqiptare

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave, Kunio Mikyriya dhe Dashgin Aliyev, Drejtori për Zhvillimin Rajonal për Rajonin e Evropës në WCO zhvilluan një vizitë zyrtare dy ditore në Shqipëri.
Drejtuesit e lartë të WCO fillimisht u pritën nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Shqiptare, Genti Gazheli, i cili pas falënderimeve që i bëri Mikyriya, për vlerësimin e kësaj vizite, e njohu atë me arritjet e Administratës Doganore Shqiptare, që sipas tij, i përgjigjen vizionit për të përballuar sfidat në të ardhmen e afërt.
Sipas Gazhelit, përafrimi i legjislacionit me atë të BE-së, ka bërë që në vitet e fundit ADSH të përmirësojë ndjeshëm shërbimin ndaj qytetarëve dhe biznesit.
“Tashmë deklarimin on-line është realitet dhe ‘Nënshkrimin Elektronik’, është një element thelbësor që i paraprin procesit të gjerë dhe shumë të rëndësishëm të ‘deklarimit pa letra në doganë’, tha Gazheli, duke theksuar se thjeshtimi i procedurave dhe dokumentacionit për dhënien e lejeve dhe licencave për qytetarët dhe bizneset ka minimizuar kostot që lidhen me burokracinë e strukturave shtetërore, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në atë kohor”, -tha ai.
Gjatë dy viteve sfiduese për shkak të pandemisë Covid-19, u shpreh Gazheli, Drejtoria e Doganave ka qenë në shërbim 24/7 të biznesit, për të lehtësuar eksportet dhe importet, duke bërë përpjekje maksimale në funksionet e saj të kontrollit, duke siguruar trajtim të barabartë, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme dhe lehtësimin e tregtisë së jashtme.
Ndërsa Kreu i OBD, Mikyria, vlerësoi se Dogana Shqiptare ka shënuar progres në vitet e fundit në termat e standardeve ndërkombëtare dhe të BE, në përmirësimin dhe futjen e teknologjive të reja dhe në zhvillimin e burimeve njerëzore.
“Është e rëndësishme ofrimi i shërbimeve bazuar në besimin e biznesit. Prandaj këtë progres kam vërejtur gjatë vizitës sime, ku në ndryshim nga vizita ime 10 vjet më parë, ndjej se ekonomia shqiptare është më shumë premtuese në kushtet e integrimit europian, në kushtet e tërheqjes së njerëzve dhe investimeve, por gjithashtu edhe tërheqjen e turistëve. Unë shoh një potencial të madh për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë, prandaj përmirësimi i vazhdueshëm i institucioneve publike, si Dogana është i rëndësishëm për të mbajtur këtë trend pozitiv dhe premtues”, u shpreh Mikyria.
Gjatë vizitës së tij në vendin tonë Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave Kunio Mikyria, dhe Dashgin Aliyev, Drejtori për Zhvillimin Rajonal për Rajonin e Evropës në WCO, u pritën edhe nga Zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj dhe Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero.
Kjo është vizita e dytë që Kreu i Organizatës Botërore të Doganave viziton Shqipërinë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




