Sesioni i ri parlamentar/ PS: Komision për rolin e Kuvendit në procesin e anëtarësimit në BE! Opozita: Shpëtoni vendin nga krimi

Politikë | 4 vite më parë

Në nisje të sesionit të ri parlamentar kryetarët e grupeve parlamentare kanë mbajtur një fjalë për të shprehur shqetësimet dhe objektivat që partitë e tyre kërkojnë të diskutojnë gjatë punës së këtij Kuvendi. Fokusi kryesor i mazhorancës dhe opozitës është përqendruar te dekomunistizimi dhe ish sigurimsat e shtetit, ku PS kërkoi edhe mbështetjen e opozitës për të realizuar me konsensus këto ndryshime.

Gjatë fjalës së tij, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla tha se shumë shpejt do të ngrihet një komision i posaçëm për të ndryshuar rolin e  Kuvendit në procesin e anëtarësimit në BE. Për Ballën kjo lind si nevojë me hapjen e negociatave me BE.

“Kuvendi nuk do të mbetet mbrapa sa i përket rolit që ka në çeljen e negociatave. Kuvendi ka rolin udhëheqës në këtë proces, të jetë e qartë edhe për qeverinë. Kemi dakordësuar ngritjen e një komisioni të posaçëm për të ndryshuar rolin e kuvendit të Shqipërisë. Do jetë komision me mandat shumë të shkurtër për të përqasur rolin në këtë proces të ri. Komisioni i posaçëm duhet miratuar”, tha Balla

Balla foli edhe për dekomunistizimin, ku tha se nisma e PS erdhi si pasojë e kërkesës nga Autoriteti i Dosjeve, duke i kërkuar edhe opozitës ta mbështesë atë

“Çështja e despiunizimit të politikës shqiptare është me rëndësi dhe mendoj që ngjitja e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit në të gjitha majat e piramidës shtetërore të Shqipërisë, kërkon reflektim nga kuvendi. Grupi i PS ka depozituar dy projektligjet që erdhën si propozim i Autoritetit të Dosjeve, kërkojmë edhe mbështetjen e opozitës. Kjo duhet bërë me urgjencë”, tha Balla.  

Ndërsa kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Aibeaj tha se nuk pret që ky Kuvend të zhvillojë një punë të mbarë pasi është mësuar t’i kalojë ligjet me shpejtësi dhe të bllokojë opozitën.

“Thuhet puna e mbarë por çfarë punë e mbarë ti kujtosh këtij Parlamenti? Për ligjet e kaluara me shpejtësi, të bëra me porosi, bllokimin e opozitës? Në këtë sesion nuk mund të ketë punë të mbarë, 1 vit e ca më parë ky Parlament është produkt i zgjedhjeve të vjedhura dhe nuk ka si të ketë sjellje të mirë ndaj opozitës në shërbim të shqiptarëve. Asnjë shqiptar nuk e sheh këtë vend sikur interesohet për jetët e tyre”, tha Alibeaj.

Fjalën e mbajtën edhe Fatmir Mediu dhe Mesila Doda në emër të grupeve parlamentare që përfaqësojnë. Mediu tha se duhet të shpëtojnë vendin nga korrupsioni e krimi dhe se Kuvendi nuk duhet të jetë një aneks i qeverisë.

‘Duke pasur në konsideratë që sfidat e këtij parlamenti janë jashtëzakonisht të mëdha përballë gjithsecilit nga ne. Shqipëria po përjeton momente të vështira, jo vetëm ekonomike. Kemi detyrim urgjent, si parlamentarë, garantimin e një reforme zgjedhore ku deputetët nuk zgjidhen nga partitë politiken por nga qytetarët. Garantimet dhe mundësin për të zgjedhur të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, një sfidë tjetër është reforma territoriale, që duhet të garantojë pushtetin në duar të popullit. Korrupsioni dhe krimi janë kthyer në sistem dhe dominojnë jetën publike. Shqipëria po përballet me një krizë ekonomike të pandalshme që po varfëron dhe po varfëron shqiptarët. Kriza e besimit në shoqërinë shqiptare, që reflektohet në largimin masiv të të rinjve, intelektual dhe të rinj. Kjo krizë vetëm po varfëron dhe po e plak shoqërinë tonë. Kuvendi për fat të keq duhet t’i rikthehet rolit kushtetues dhe jo të shërbejë si apendiks i qeverisë”, tha Mediu

Ndërsa Doda e vuri theksin te opozitë e përçarë dhe politikë të bashkuar me krimin.

“Opozita është e përçarë, gjithsecili me hallet e veta. Kemi parë skenat me sharje dhe fyerje mes përfaqësuesve të opozitës. Qeveria nuk është normale, ajo që duhet të menaxhojë të mirat publike dhe jo të çojë buxhetin në duart e disa njerëzve. Shkurt e gjithë kjo situatë i ka kaluar rregullat bazë të bashkëjetesës në demokraci. Bashkimi i politikës me krimin, madje njësimi më të i ka dhënë fund gjuhës politike. Shqipëria çeli negociatat me BE-në ndërkohë që në këtë Kuvend nuk pati asnjë debat, asnjë seancë në lidhje me këtë. Opozita duhet të gjejë sinergjinë e saj të brendshme. Nga ana tjetër mazhoranca të zhdukë çdo gjuhë arrogance dhe armiqësore dhe gjuhën përçarëse”, tha Doda.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme