SHBA-BE: Integrimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, thelbësore për stabilitetin e Europës

SHBA dhe BE njëzëri kanë theksuar rëndësinë e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në forcimin e stabilitetit të kontinentit europian. Në një deklaratë të përbashkët, Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Bliken dhe përfaqësuesin i Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell thanë se presin nga Maqedonia e Veriut që të pranojë propozimin francez si kompromis që do u hapi rrugën Shkupit dhe Tiranës drejt BE-së.
Blinken dhe Borrell thanë se do të mbeten të përkushtuara për të bashkëpunuar sa më ngushtë me Ballkanin Perëndimor.
“Në këtë moment kritik të historisë evropiane, të shënuar nga agresioni i pajustifikueshëm i kryer nga Rusia kundër Ukrainës, avancimi i rrugës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE është çelësi për forcimin e kohezionit dhe qëndrueshmërisë së të gjithë kontinentit evropian. Të udhëhequr nga vlerat e përbashkëta dhe standardet dhe standardet e BE-së, të dy vendet janë gati të ndërmarrin hapin tjetër drejt anëtarësimit në BE.
Ne mirëpresim një propozim kompromisi që merr parasysh interesat dhe shqetësimet e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë bazuar në respektin, besimin dhe mirëkuptimin reciprok.Vendimi sovran i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut do të jetë i rëndësishëm për të ecur përpara. Kjo frymë e kompromisit konstruktiv mbi të cilin është ndërtuar integrimi evropian duhet të vazhdojë të frymëzojë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces historik. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për bashkëpunim më të ngushtë në Ballkanin Perëndimor. Sigurimi i stabilitetit dhe prosperitetit dhe realizimi i së ardhmes së tyre evropiane dhe euroatlantike mbetet qëllimi ynë i përbashkët”, thuhet në deklaratën e tyre.
Aktualisht Perëndimi dhe Shqipëria po pret nga Shkupi se çfarë do të vendos lidhur me propozimin francez. Ndonëse ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për qeverinë që ta pranojë atë, qytetarët janë ngritur në protesta të dhunshme për ta refuzuar pasi sipas tyre propozimi francez nuk njeh gjuhën dhe historinë maqedonase.
Propozimi francez është parë si një marrëveshje që do të adresojë të gjitha mosmarrëveshjet mes Shkupit dhe Sofjes duke hequr veton bullgare dhe do të mundësojë hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




