SHBA dhe Irani nënshkruajnë marrëveshje paraprake paqeje, hapet rruga për negociata 60-ditore mbi programin bërthamor

Botë | 5 muaj më parë

Një marrëveshje SHBA–Iran për zgjatjen e armëpushimit ka hyrë në fuqi pasi u nënshkrua mbrëmjen e së mërkurës, gjatë samitit të G7 në Francë.

Memorandumi i mirëkuptimit, i cili shënon një fazë fillestare të procesit të paqes, u nënshkrua nga Presidenti amerikan Donald Trump në Evian-les-Bains, ndërsa detajet e tij u bënë publike gjatë samitit.

Marrëveshja me 14 pika parashikon që Irani të mos blejë apo zhvillojë armë bërthamore, si dhe hap rrugën për një fond prej 300 miliardë dollarësh për “rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik” të vendit. Sipas dokumentit, Shtetet e Bashkuara nuk janë të detyruara të kontribuojnë financiarisht në këtë fond. Megjithatë, disa çështje kyçe mbeten ende të pazgjidhura, veçanërisht programi bërthamor i Iranit, i cili do të jetë në qendër të një procesi negociator 60-ditor.

Ndërsa marrëveshja u bë publike, Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se SHBA do ta “bombardonin ferrin” Iranin në rast se nuk respektohen kushtet e dakorduara.

Nga ana tjetër, kryetari i parlamentit iranian dhe negociatori kryesor, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi për mediat shtetërore se mosbesimi ndaj Uashingtonit mbetet i lartë, duke shtuar se “gishti i Iranit është te këmbëza”, dhe se Teherani do të përgjigjet nëse procesi dështon.

Pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjes, të dyja palët kanë lënë të hapur mundësinë e rifillimit të armiqësive, në varësi të rezultatit të negociatave të ardhshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme