SHBA do të dërgojë edhe 3 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

Ndërsa lufta e Rusisë kundër Ukrainës po zvarritet, ndihma për sigurinë nga SHBA-ja, po kalon në një plan afatgjatë. Në të ardhmen ajo ka të ngjarë të mbajë më shumë trupa ushtarake amerikane në Evropë, duke përfshirë edhe planet e afërta për të shpallur një ndihmë shtesë prej rreth 3 miliardë dollarësh, për të trajnuar dhe pajisur ukrainasit.
Zyrtarët amerikanë i thanë Associated Press se paketa pritet të shpallet të mërkurën, ditën kur lufta arrin kufirin e 6 muajve, dhe kur Ukraina feston ditën e saj të pavarësisë. Paratë do të financojnë kontrata për dronë, armë dhe pajisje të tjera, që mund të mos e shohin frontin e luftës për një, ose dy vjet.
Totali i paketës së ndihmës – e cila po ofrohet nën Iniciativën e Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës – mund të ndryshojë brenda natës, por jo ndonjë ndryshim i madhe. Ndryshe nga shumica e paketave të mëparshme, financimi i ri synon të ndihmojë Ukrainën, që të sigurojë një mbrojtje afatmesme dhe afatgjatë, sipas zyrtarëve.
Dërgesat e mëparshme, shumica e tyre të kryera nën Autoritetin e Tërheqjes Presidenciale, janë fokusuar në nevojat më imediate të Ukrainës për armë dhe municione, si dhe materiale të tjera, që Pentagoni tashmë i ka në magazina, dhe që mund të dërgohen në një kohë të shkurtër.
Përveç ofrimit të ndihmës afatgjatë, që Ukraina mund ta përdorë për nevojat e mundshme të mbrojtjes në të ardhmen, paketa e re synon të sigurojë zyrtarët ukrainas se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë mbështetjen e tyre. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ripohoi mbështetjen e aleancës për vendin e shkatërruar nga konflikti.
“Dimri po vjen, dhe do të jetë i vështirë. Ajo që ne shohim tani është një luftë rrënqethëse. Kjo është një betejë vullnetesh dhe një betejë logjistike. Prandaj ne duhet të vazhdojmë mbështetjen tonë për Ukrainën, në mënyrë afatgjatë, me qëllim që Ukraina të egzistojë si një komb sovran dhe i pavarur”, tha Stoltenberg.
Gjashtë muaj pas pushtimit nga Rusia, lufta është ngadalësuar. Të dyja palët zhvillojnë sulme luftarake dhe kanë përparime të vogla në lindje dhe jug. Të dyja palët kanë parë mijëra trupa të vrarë dhe të plagosur, pasi bombardimet e qyteteve nga Rusia kanë vrarë civilë të panumërt të pafajshëm.
Ekziston frika se Rusia do të intensifikojë sulmet ndaj infrastrukturës civile dhe objekteve qeveritare në Ukrainë në ditët në vijim për shkak të festës së pavarësisë dhe përvjetorit të gjashtë mujorit të pushtimit. Të hënën vonë, ambasada e SHBA në Ukrainë dhe Departamenti i Shtetit, lëshuan një alarm të ri sigurie për Ukrainën, me një thirrje për amerikanët në Ukrainë, që të largoheshin për shkak të rrezikut.
“Duke pasur parasysh historikun e Rusisë në Ukrainë, ne jemi të shqetësuar për kërcënimin e vazhdueshëm nga sulmet ruse ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile”, thuhet në deklaratë. Deri më sot, SHBA-ja ka ofruar rreth 10.6 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, që nga fillimi i administratës Biden, duke përfshirë 19 pako armësh të marra drejtpërdrejt nga stoqet e Departamentit të Mbrojtjes. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




