SHBA-ja i propozon Koresë së Veriut bisedime pa parakushte

Përfaqësuesja e Përhershme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në OKB, Linda Thomas Greenfield, tha se i kanë propozuar Koresë së Veriut bisedime pa parakushte dhe se ka ardhur koha për të formuar “dialog të vazhdueshëm dhe thelbësor”.
SHBA-ja dhe Britania transferuan në Këshillin e Sigurimit të OKB-së çështjen mbi programin bërthamor të Phenianit, pasi Koreja e Veriut njoftoi testimin e “raketës së re balistike të lëshuar nga nëndetësja”.
Në një deklaratë për gazetarët, Greenfield dënoi testimin e raketës balistike të Koresë së Veriut dhe tha se këto testime shkelin rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Duke bërë të ditur se testimi i fundit i raketës balistike nga Koreja e Veriut është një “provokim i pamatur”, ajo i bëri thirrje Phenianit që të distancohet nga provokimet e mëtejshme.
Ka ardhur koha për të formuar “dialog të vazhdueshëm dhe thelbësor” në mënyrë që Koreja e Veriut të pastrohet plotësisht nga armët bërthamore, u shpreh Greenfield, duke shpjeguar se i kanë propozuar bisedime pa parakushte Koresë së Veriut.
Thomas Greenfield më tej vuri në dukje se janë të gatshëm të punojnë nga afër me komunitetin ndërkombëtar lidhur me pakësimin e tensionit në rajon.
Koreja e Veriut më 15 shtator kreu testimet e raketës balistike me rreze të shkurtër, ndërsa më 28 shtator kreu testim raketor të cilin Agjencia Qendrore e Lajmeve e Koresë së Veriut (KCNA) e cilësoi si testimet e “raketave të sapo zhvilluara hipersonike”.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), që nga viti 2006 e deri më tani zbaton sanksione ekonomike dhe ushtarake ndaj Koresë së Veriut për shkak të programit të saj bërthamor./AA
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




