SHBA: Mbështesim fuqimisht integrimin e Shqipërisë në BE, reformën në drejtësi. Opozita rol të pazëvendësueshëm

Politikë | 5 vite më parë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe nxisin autoritet shqiptare për vijimin e reformave të nevojshme, përfshirë reformën në drejtësi. Ky ka qenë qëndrimi i zyrtarëve më të lartë amerikanë, të cilët që nga dita e djeshme po zhvillojnë një vizitë në Tiranë, duke u takuar me autoritet më të larta shqiptare në nivel politik dhe institucional.  

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes një postimi në Facebook, ka dhënë detaje, në lidhje me takimet që zhvilluan në Tiranë nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.

 “Ata u takuan me Kryeministrin Edi Rama, ministra të ndryshëm, dhe drejtuesit e opozitës. Qëllimi i vizitës së tyre ishte thellimi i partneritetit tashmë të fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë si miq, aleate në NATO dhe anëtare në Këshillin e Sigurimit së Kombeve të Bashkuara, sidomos teksa festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve tona dypalëshe. Ata rikonfirmuan mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe nxitën vijimin e reformave të nevojshme, përfshirë reformën në drejtësi; mirëpritën përpjekjet e fundit për të diversifikuar burimet, furnizimet dhe rrugët e energjisë në Shqipëri dhe më gjerë në rajon; dhe nënvizuan se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit si një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në informacionin e shpërndarë nga ambasada amerikanë në Tiranë.

 Sipas këtij njoftimi, zyrtarët e lartë amerikanë theksuan rolin e pazëvendësueshëm të një opozite të fortë në demokracinë e Shqipërisë, si dhe theksuan rëndësinë e institucioneve të forta demokratike dhe sundimit të ligjit.

 “Ata shprehën shpresën për një partneritet të efektshëm dhe që sheh përpara me popullin shqiptar, duke përfshirë edhe partitë që i përfaqësojnë ata”, shkruan ambasada amerikane. 

Edhe ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, ka reaguar pas vizitës së të dërguarës së DASH në vendin tonë, Donfried.

“E mrekullueshme për të pasur të dërguarën e DASH, Donfried, këtu për të takuar liderët e Shqipërisë, për të forcuar demokracinë, mbrojtjen dhe lidhjet e biznesit; integrimi evropian; siguria energjetike; bashkëpunim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kundër  pushtimit të Ukrainës. Shumë punë për të bërë, por do të kemi sukses nëse e bëjmë së bashku!”, shkruan Kim.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme