SHBA, Shqipëria dhe vende të tjera thirrje Koresë së Veriut që t’i japë fund programit bërthamor

Botë | 5 vite më parë

Gjashtë vende përfshirë SHBA-në dhe Shqipërinë i kanë bërë thirrje Koresë së Veriut që t’i japë fund programit të saj bërthamor dhe testeve të raketave balistike.

SHBA-ja, Britania, Franca, Irlanda, Shqipëria dhe Japonia bënë një deklaratë të përbashkët përpara seancës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), e cila do të diskutojë mbi testin e fundit raketor të Koresë së Veriut.

Përfaqësuesja e përhershme e SHBA-së në OKB, Linda Thomas Greenfield, në deklaratën e bërë në emër të 6 vendeve tha se dënojnë testin raketor balistik të Koresë së Veriut më 5 janar dhe se testimi raketor ka shkelur hapur rregullat e KS-OKB-së.

Kërkimi i Koresë së Veriut për armët e shkatërrimit në masë dhe programet raketore balistike kërcënojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare theksoi Thomas Greenfield, e cila i bëri thirrje Phenianit që t’i japë fund programit të saj bërthamor dhe testeve të raketave balistike.

Ajo tërhoqi vëmendjen se Koreja e Veriut vazhdon të bëjë investime ushtarake pavarësisht kostos së kësaj ndaj mirëqenies së popullit. Thomas Greenfield tha se populli i vendit ndodhet përballë një krize humanitare në rritje nën një regjim të ashpër autoritar.

Ajo i bëri Koresë së Veriut thirrje edhe për dialog për pastrimin e Gadishullit Korean nga armët bërthamore dhe distancim nga veprimet që prishin stabilitetin.

Koreja e Veriut testin e fundit të saj e zhvilloi në tetor 2021, ndërsa një raketë që u testua më 5 janar u pretendua se kjo ishte një raketë balistike e tipit të ri që lëshohet nga nëndetësja.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme