Shefi i mbrojtjes së Rusisë paralajmëron mbi mundësinë e provokimit nga Ukraina me një ‘bombë së pistë’

Shefi i mbrojtjes i Rusisë pretendoi sot se Ukraina po përgatiste një “provokim” që përfshin një pajisje radioaktive, pretendim i cili u hodh poshtë me forcë nga zyrtarët ukrainas dhe britanikë, në mes të tensioneve në rritje ndërsa Moska përpiqet të frenojë përparimet e Ukrainës në jug.
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, i bëri këto akuza në biseda telefonike me homologët e tij nga Britania, Franca dhe Turqia.
Ai foli sërish me sekretarin amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin, në një telefonatë të dytë të tyre në tre ditë, por një lexim i shkurtër rus i asaj telefonate nuk tha nëse u përmend pretendimi i bombës.
Ministria ruse e mbrojtjes tha se Shoigu shprehu shqetësim rreth “provokimeve të mundshme ukrainase që përfshijnë një “bombë të pistë”, një pajisje që përdor eksplozivë për të shpërndarë mbetjet radioaktive.
Nuk ka efektin shkatërrues të një shpërthimi bërthamor, por mund të ekspozojë zona të gjera ndaj ndotjes radioaktive.
Autoritetet ruse, në mënyrë të përsëritur, kanë deklaruar pretendime se Ukraina mund të shpërthejë një bombë të pistë në një sulm me flamur të rremë dhe të fajësojë Moskën për të.
Autoritetet ukrainase, nga ana tjetër, kanë akuzuar Kremlinin për hartimin e një plani të tillë.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, e hodhi poshtë me forcë pretendimin e Shoigu dhe paralajmëroi Moskën që të mos e përdorte atë si një pretekst për përshkallëzim. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



