Shefi i OKB-së: SHBA-të besojnë se fuqia e tyre ka më shumë rëndësi sesa ligji ndërkombëtar

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara besojnë se fuqia e tyre ka më shumë rëndësi sesa ligji ndërkombëtar, duke vënë në pikëpyetje rolin e zgjidhjeve shumëpalëshe.
Sipas Guterres, ekziston një “bindje e qartë” në Uashington se mekanizmat shumëpalësh nuk janë më të rëndësishëm dhe se ajo që ka peshë është ushtrimi i fuqisë dhe ndikimit. Ai paralajmëroi se parimet themeluese të OKB-së, përfshirë barazinë mes shteteve anëtare, janë sot seriozisht të kërcënuara.
“Ka nga ata që besojnë se fuqia e ligjit duhet të zëvendësohet nga ligji i pushtetit. Në të vërtetë, kur shikon politikën aktuale të Shteteve të Bashkuara, ekziston një bindje e qartë se zgjidhjet shumëpalëshe nuk janë relevante dhe se ajo që ka rëndësi është ushtrimi i fuqisë dhe ndikimit të Shteteve të Bashkuara dhe ndonjëherë në këtë drejtim sipas normave të së drejtës ndërkombëtare”, tha Guterres për BBC.
Komentet e kreut të OKB-së vijnë disa javë pas veprimeve të SHBA-ve ndaj Venezuelës dhe në një klimë tensionesh ndërkombëtare, përfshirë edhe deklaratat Trump për aneksimin e Groenlandës. Guterres kritikoi gjithashtu qëndrimet e Trump ndaj OKB-së, i cili më herët e kishte vënë në dyshim rolin dhe efektivitetin e organizatës.
“OKB-ja është jashtëzakonisht e angazhuar në zgjidhjen e konflikteve globale, por nuk ka ndikim të mjaftueshëm. Fuqitë e mëdha kanë ndikim më të fortë,” tha Guterres.
Ai theksoi nevojën urgjente për reforma, duke e cilësuar Këshillin e Sigurimit si jo përfaqësues dhe joefektiv në realitetin aktual global. Guterres bëri thirrje për ndryshime në përbërjen e këtij këshilli dhe për kufizimin e së drejtës së vetos, e cila sipas tij ka çuar në bllokime të papranueshme në çështje të mëdha si luftërat në Ukrainë dhe Gaza.
Antonio Guterres mori drejtimin e OKB-së në vitin 2017 dhe pritet të përfundojë mandatin e tij në fund të këtij viti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




