Shërbimet online, Ibrahimaj: Synimi i qeverisë, brenda 2023 procesi i punës brenda administratës të kalojë pa letër

Politikë | 4 vite më parë

Që prej 1 majit tashmë, 95% e shërbimeve publike ofrohen online përmes portalit “e-albania”, ndërsa për Ministren e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, kjo reformë dixhitalizimi ka sjellë jo pak ndikim pozitiv në fushat kryesore të vendit.

E pranishme në konferencën e nivelit të lartë mbi Evropën Juglindore me temë “Zhvillimi i kapitalit njerëzor – Formimi i së ardhmes së bashku”, organizuar nga OECD, me mbështetjen e BE, që u mbajt në Paris, Ibrahimaj theksoi rëndësinë e hartimit të politikave, të cilat lejojnë shfrytëzimin e përfitimeve të revolucionit dixhital.

Sipas Ministres, procesi i dixhitalizimit u përshpejtua edhe nga kriza e pandemisë së COVID 19, si në sektorin privat, ashtu edhe shërbimet e ofruara nga qeveria.

Ministrja bëri me dije se vetëm Ministria e Financave dhe Ekonomisë ofron gjithsej 474 shërbime online, ndërsa në total në “e-albania” janë 2.5 milionë qytetarë dhe biznese të regjistruara, të cilët marrin shërbime ditore, ku mesatarisht brenda një dite pune shërbehen rreth 2000 qytetarë dhe ofrohen rreth 50000 shërbime.

Ambicia e Qeverisë, sipas Ibrahimajt është që brenda vitit 2023 procesi i punës brenda administratës të kalojë pa letër, përmes një sistemi të centralizuar.

Në mbyllje të fjalës së saj në konferencë, Ministrja tha se qeveria është e përkushtuar të vazhdojë me progresin në proceset e dixhitalizimit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme