Shkarkimi i Tushes, Rama: PS nuk është zyrë avokatie e të pandehurve, por fuqia e votuar nga populli!

Kryeministri socialist Edi Rama ka mbledhur në një takim urgjent në kryeministri kryebashkiakët socialistë që dominojnë pushtetin lokal.
Mediat shënojnë se takimi vjen menjëherë pas arrestimit nga SPAK për afera korruptive të kreut të bashkisë së Lushnjes Fatos Tushe. Ai u përjashtua nga detyra menjëherë pas ngjarjes. Rama u shpreh se shkarkimi dhe përjashtimi i tij janë masa që mund të rishikohen vetëm nëse në fund të procesit, rezulton i pafajshëm nga akuzat e ngritura ndaj tij.
Por zoti Rama ka përsëritur deklaratën e njohur se PS nuk është zyrë avokatie e të pandehurve, por fuqia e votuar nga populli për ta çuar Shqipërinë në majë.
“Shkaku që e afrojmë në kohë këtë takim të planifikuar për në fund të korrikut është arrestimi i kryebashkiakut të Lushnjes. Ai dhe të tjerët kanë të drejtën e prezumimit të pafajësisë deri në përfundim të gjykimit, por nuk është puna e PS të kërkojë pafajësinë e tyre” tha zoti Rama. “Ky është rasti për t’iu përsëritur juve dhe atyre që kanë marrë besimin e popullit se PS nuk është zyrë avokatie e të pandehurve, por fuqia e votuar nga populli” tha kryeministri dhe kryetari i PS Edi Rama.
“Korrupsioni, ryshfet, bakshishi nuk kanë ngjyrë politike, por janë e zeza, llumi me të cilët ne duhet të përballemi për të ndërtuar shtetin e të drejtës dhe për të refuzuar mbrojtjen për këdo nga ne që bie pre e tyre dhe të udhëheqim popullin drejt majës ku duhet ta ngjisim Shqipërinë. Fatos Tushe do shkarkohet nga detyra dhe do përjashtohet, masa që mund të rishikohen vetëm nëse në fund të procesit del i pafajshëm” përsëriti zoti Rama.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




