Shpallet ankandi për energjinë e erës, sigurohet diversifikim edhe brënda energjisë së pastër

Ekonomi | 5 vite më parë

Energjia e pastër përbën serish një tjetër angazhim të Qeverisë Shqiptare. Pas parqeve fotovoltaike që shfrytëzojnë energjinë e diellit, së shpejti në Karaburun do të ngrihet një impiant eolik, pra i prodhimit të energjisë nga era. Fituesit që do të shpallen pas ankandit, përfitojnë masa mbështetëse nga qeveria.

Hapet një tjetër kapitull drejt diversifikimit të burimeve të energjisë. Shqipëria do të ketë një alternativë më shumë për prodhimin e energjisë, duke shfrytëzuar një tjetër burim, siç është era dhe energjia e krijuar prej saj. Shpallja e ankandit për ngritjen e parqeve eolike është bërë e mundur menjëherë pas dy ankandeve të sukseshme për prodhimin e energjisë elektrike nëpërmjet energjisë diellore, në Karavasta dhe në Spitallë.
“Parku i Karavastasë 140 megavat dhe ai i Spillesë 100 megavat. Të dy së bashku janë një fuqi e re e shtuar e sistemit tonë elektroenergjetik së cilës tani i shtohet edhe shfrytëzimi racional i burimeve të energjisë së erës. Mendoj që kjo do të ishte e pamundur të imagjinohej disa vite më parë, por njëkohësisht do të ishte jo lehtësisht e realizueshme me standardet e transparencës dhe cilësinë në rast se lidershipi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë nuk do të kishte pasur partnerët e duhur në vendin dhe kohën e duhur, ku BERZH është një partner konstant dhe për sa i takon kësaj faze të re kemi nderin të kemi partneritetin e qeverisë zvicerane, që na ka garantuar jo vetëm burime financiare, por mbi të gjitha burime dijeje të çmuara dhe realisht shumë të nevojshme”, tha kryeministri Rama.

Kryeministri theksoi se “e gjithë kjo rrugë transformimi dhe e gjithë kjo qasje e dedikuar në 360 gradë, jo vetëm për të ndërtuar, por edhe të ndërtuar mirë dhe në mënyrë të besueshme nga pikëpamja e procesit”. “Sukseset e pamohueshme të ankandeve të mëparshme e kanë bërë Shqipërinë sot në këtë fushë një destinacion interesi për emrat më të mëdhenj në tregun global të energjisë. Nëse jo para shumë vitesh do të ishte e pamundur të imagjinohej se në Shqipëri do të bëheshin anakande dhe të merrnin pjesë kompani prestigjoze, sot kjo është një rutinë procesi zhvillimi dhe transformimi”, tha Rama

Sipas njoftimit zyrtar janë rreth pesë aplikime për impiante eolike që janë dorëzuar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Aplikimet janë kryer nga shoqëri të ndryshme dhe pritet të përfitojnë nga masat mbështetëse të qeverisë. Parku eolik do të vendoset në zonën e Karaburunit. “Ankandi që hapim sot do t’u japë mundësinë ofertuesve të propozojnë projekte të cilat kanë kapacitet minimal 10 megavat dhe kapacitet maksimal 75 megavat. Çmimi i parafiksuar do të drejtohet për 100 megavat të cilat do të blihen nga qeveria për konsum dhe çmimi tavan do të jetë 75 euro për megavat. Ne u japim mundësinë të gjitha kompanive që të ofertojnë çmimin më të ulët”, tha Balluku.
Një park eolik është një grup turbinash të erës, në të njëjtin vend, të cilat përdorin energjinë e erës për të prodhuar energji elektrike.
Më tej ministrja shpjegoi edhe fazat në të cilat do bëhet përzgjedhja e kompanisë fituese.
“Në fazën e parë do të arrijmë të verifikojmë eksperiencën teknike, burimet financiare dhe pozitën ligjore të kompanive që do të futen në garë. Në fazën e dytë do të shqyrtohet oferta financiare”, tha Balluku.
Në ndihmë të investitorëve, Balluku tha se qeveria vendos një studim, financuar nga Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), me mbështetjen e BERZH-it. Ky raport teknik rekomandon zonat potenciale me energji nga era dhe shmang përmes hartave të gjitha zonat e mbrojtura dhe ato ku nuk mund të vendosen parqet eolike.
Sipas saj, 20 % e territorit shqiptar nga veriu në jug në një lartësi mbi 150 m mbi nivelin e detit rezulton me potencial për ndërtimin e këtyre parqeve.
Sipas saj, kjo është edhe arsyeja se pse quhen ankande hibride, pasi shteti nuk vendos tokën në dispozicion, por vetëm studimin dhe përcakton kriteret për garën. 
Edhe pse ka pasur gjithnjë hapësira për zhvillimin e projekteve të energjisë nga era, në shumë raste ato kanë mbetur në letër. Ankandi i fundit për energjinë eolike pason ankandet ndërkombëtare në energjinë fotovoltaike. Investime të tilla synojnë edhe aplikimin e masave mbështetëse, duke nxitur kështu zhvillimin e projekteve. Njëlloj si me Spitallën dhe Karavastanë tek energjia fotovolatike pritet që autoritetet të mbajnë ankande ku kompanive të interesuara do t’ju mundësohet blerja e energjisë për një periudhë të caktuar nga ana e OSHEE.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme