Shpallja non-grata nga SHBA, Kadilli kërkon largimin e Sali Berishës nga PD

Politikë | 5 vite më parë

Fatbardh Kadilli, është i pari brenda radhëve të PD që kërkon largimin e Sali Berishës nga partia, pas shpalljes non-grata nga SHBA. Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, në një reagim në rrjetet sociale, shkruan se Berisha me shumë bindje do ta shmangë përfshirjen e PD-së në këtë çështje, duke e bërë betejën nën emrin e vet. Zoti Kadilli shton se Berisha sot i ka të gjitha mundësitë, synimet dhe etikën që të mbrohet privatisht dhe ta sqarojë këtë çështje pa përfshirë partinë.

“Lajmi i shpalljes së z. Berisha persona non grata nga Sekretari i Shtetit, ka provokuar shumë emocione, sidomos mes mbështetësve dhe atyre që kanë rrugëtuar në politikë krah tij. Në 30 vjetorin e vendosjes se marrdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, ky vendim sjell shqetësim për të gjithë. Kujtoj ende imazhet e drejtuesve demokratë Berisha dhe Pashko, si të ftuar specialë të këtij momenti historik. Sot, në një situate krejtësisht të përmbysur, Berisha i ka të gjitha mundësitë, synimet dhe etikën të mbrohet dhe ta sqarojë këtë çeshtje privatisht. Kam bindjen se ai do e shmangë PD nga përfshirja në këtë çështje të së djeshmes duke e marrë nën emrin e vet betejën finale për emrin dhe historinë. Partia Demokratike, si partia e atyre që formuluan idetë politike dhe u frymëzuan nga zëri dhe ethosi amerikan, do të jetë dhe duhet të jetë e qartë në qëndrimin ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë, dhe nuk do t’i kompromentojë në asnjë rast marrdhëniet me partnerin strategjik dhe mikun më të madh të Shqipërisë,”- shkruan Kadilli.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme