Shqipëri-Greqi, bashkëpunim policor për luftën kundër krimit

Ministri i Brendshëm i shqipërisë Bledi Çuçi, i ili po qendron për vizitë në Athinë zhvilloi një takim me ministrin për Mbrojtjen e Qytetarit, Panagiotis Theodorikakos, i cili mbulon edhe çështje që lidhen me sigurinë dhe policinë.
“Diskutuam sot në Athinë për bashkëpunimin policor mes dy vendeve tona, për luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Kemi kaluar nga faza e shkëmbimit të informacionit në atë të hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta, çka dëshmon për nivelin e lartë të besimit mes policisë së të dy vendeve. Por sidoqoftë ka ende hapësirë për të intensifikuar bashkëpunimin e ngushtë dyaplësh”, shprehet Çuçi.
Një pikë tjetër e diskutimit mes dy ministrave ishte edhe qendra e përbashkët e bashkëpunimit policor dhe doganor që do të hapet së shpejti në Kakavijë.
“Kjo qendër është një instrument tjetër që do t’i shërbejë të dy vendeve tona dhe sigurisë së rajonit në tërësi”, tha Çuçi.
Dy ministrat diskutuan gjithashtu edhe për mundësinë e trajnimeve të përbashkëta të policisë së dy vendeve për çështje që lidhen me krimet ndërkufitare dhe emigracionin e paligjshëm.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




