Shqipëri-Mali i Zi, mbledhje të përbashkët të dy qeverie

Politikë | 5 vite më parë

Një mbledhje e përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Malit të Zi, është planifikuar të mbahet së shpejti. Lajmin e bëri të ditur ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, gjatë një konference për shtyp me homologun malazez, Gorge Raduloviç.

“Patëm mundësinë të diskutojmë për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, ku pjesë thelbësore e diskutimit tonë ishin zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjen e parë të dy qeverive, për hapjen e pikave të reja kufitare, rritjen e investimeve dhe projekteve në zonat ndërkufitare, me një impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies së kësaj zone, transportit rrugor, ujor, hekurudhor me fokus përfshirjen e tyre me korridoret evropiane, si dhe krijimin e paketave të përbashkëta turistike. Përtej këtyre projekteve, në kuadrin e bashkëpunimit ndërqeveritar vlerësoj angazhimin e dy qeverive tona për aplikime të përbashkëta për fondet e BE, për përmirësimin e ndërlidhjes, akseve të ndryshme rrugore, bashkëpunimit shkencor, kulturor, arsimor, etj. Le ta shndërrojmë liqenin e Shkodrës në një pikë të zhvilluar e cilësore atraktive të turizmit dhe kjo ishte një nga temat të cilat diskutuam. Ashtu siç është bërë me dije nga kryeministrat e të dy vendeve tona, gjatë ceremonisë së hapjes së Pikës së Përbashkët Kufitare Gorem, mbledhja e radhës së takimit të përbashkët të dy qeverive parashikohet të mbahet në një të ardhme të afërt. Ndërkohë, janë një sërë projektesh të përbashkëta për të cilat jemi duke punuar”, tha Xhaçka.

Ndërsa ministri i Jashtëm malazez, Radulaviç, ndërsa ka vlerësuar bashkëpunimin mes dy vendeve, ka pohuar se ka ende vend për përmirësim të mëtejshëm. Ai shprehu mbështetjen për procesin e integrimit dhe marrjen e një date të afërt për hapjen  e negociatave, ndërsa shfaqi gadishmërinë që Mali i Zi të ofrojë ekspertizë në këtë drejtim.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme