Shqipëri, niset drejt Türkiye-s një kamion tjetër me ndihma të ndryshme

Një tjetër kamion me ndihma të ndryshme është nisur të enjten drejt Türkiye-s, për familjet e prekura nga tërmetet shkatërrimtare, raporton Anadolu Agency.
Ndihmat janë mbledhur nën koordinimin e Ambasadës turke në Tiranë dhe me mbështetjen e Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, ndërsa konsistojnë në gjeneratorë, batanije, çadra dhe të tjera.
Zv.ambasadorja e Türkiye-s në Tiranë, Edibe Sinem Atay, në deklaratën e saj për mediat tha se janë mbledhur për të nisur drejt Türkiye-s kamionin e katërt me ndihma. Ajo tha se falënderon edhe një herë miqtë shqiptarë dhe ata që “na qëndruan pranë që në çastin e parë të këtij tërmeti tragjik”.
Drejtori e ekzekutiv i Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari, në deklaratën e tij tha do ta vazhdojnë këtë fushatë të mbledhjes së ndihmave edhe për disa ditë të tjera.
“Jemi shumë të lumtur që po shërbejmë si ndërmjetës në këtë proces të madh të përgjigjes që po marrim nga shqiptarët duke dhuruar të mira materiale për Türkiye-n në këto ditë të vështira. Në fakt sot ky kamion i katërt është i fokusuar në ato që janë konsideruar si ndihmat më emergjente dhe konsistojnë në gjeneratorë, në batanije, në çadra, në to gjëra që për shtetin turk dhe për popullin turk sot janë gjërat më emergjente”, tha ai.
Hajdari theksoi se i vjen mirë që thirrjes së tyre, thirrjes së ambasadës turke dhe thirrjes të popullit turk i është përgjigjur një numër shumë i madh shqiptarësh, por edhe biznesesh, sipas tij, të cilët kanë bërë të mundur që ky kamion i radhës të niset sot për në Türkiye.
Kujtojmë se disa ditë më parë nga Tirana drejt Türkiye-s janë nisur edhe tre kamionë të tjerë me ndihma të mbledhura në Shqipëri për familjet e prekura nga tërmetet në Türkiye.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




