Shqipëria dhe Gjermania, partneritet në fushën e bujqësisë

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë dhe Ministria e Bujqësisë e Gjermanisë, kanë lidhur një partneritet mes tyre. Lajmin e ka dhënë ministrja shqiptare Frida Krifca në forumin e biznesit Shqipëri-Gjermani që u zhvillua në Tiranë.
“Këtë vizitë të këtyre bizneseve e kemi marrë shumë seriozisht si qeveri dhe jemi të gatshëm të ofrojmë gjithë hapësirën e bashkëpunimit në mënyrë që disa nga këto biznese të kenë mundësinë të shtrihen në Shqipëri, të krijojnë partneritete me biznesin shqiptar apo mundësisht të hapin edhe filialet e tyre në vendin tonë”, tha zonja Krifca.
Minisrja shqiptare ka paraqitur për të pranishmit një pasqyrë të zhvillimit të bujqësisë në Shqipëri. “Bujqësia është një ndër sektorët me portencialin më të madh për investimet e huaja”, u shpreh ministrja Krifca.
Ajo bëri të ditur se Shqipëria është vend që prodhon pothuajse totalisht në mënyrë organike. Treguesit e Organizatës Botërore të Ushqimit, FAO, dëshmojnë se bujqësia Shqiptare përdor 4 herë më pak produkte plehëruese se sa mesatarja e BE-së.
Sektori i peshkimit detar prej 450 anijesh së bashku me prodhimet e akuakulturës gjenerojnë më shumë se 80 milion euro eksporte në vit. Ky sektor mbështetet nga një njësitë e përpunimit të cilat eksportojnë produkte të përpunuara të detit në të gjithë botën dhe që krijojnë mundësi të mëdha punësimi në mënyrë të veçantë për të rinjtë dhe gratë”, u shpreh zonja Krifca.
Ministrja parashtroi blegtorinë dhe zinxhirin e vlerës së mishit dhe të produkteve blegtorale, si një mundësi të mirë dhe e vyer bashkëpunimi me sipërmarrjet e huaja.
Gjithajshtu, tha Krifca, Shqipëria është një vend mesdhetar që dallohet për produktet emblematike siç janë vreshti, vera, ulliri, vaji i ullirit e bimët aromatike .
Duke u ndalur tek trendi i ri në rritje i eksporteve bujqësore, Krifca vuri në dukje se, prodhimet bujqësore “Made in Albania” po kërkohen gjithë e më shumë nga tregjet e huaja duke zgjeruar gjeografinë e vendeve deri në Azi, vendet skandinave, SHBA etj.
“Sot bujqësia zë mbi 66% të volumit te sasisë se eksporteve dhe 43% të vlerës së eksporteve totale që Shqipëria realizon”, shtoi ajo. “Kemi të shpërndarë në të gjithë vendin një rrjet prej më shumë se 400 pika grumbullimi të cilat drejtojnë produktet tona të freskëta apo të përpunuara në më shumë se 82 destinacione në botë. Si një eksportues i rëndësishëm rajonal, Shqipëria arriti që vitin e shkuar të eksportonte 500 milion dollarë produkte bujqësore, duke iu afruar objektivit madhor të eksportimit të 1 miliardë dollarëve në vitin 2030”, tha ministrja.
“Ne jemi të hapur për çdo bashkëpunim i cili synon rritjen e kapaciteteve prodhuese të aktorëve të biznesit, rritjen e kapacitetit të tyre për inovacion dhe bashkëpunim, forcimin e lidhjeve me tregjet ndërkombëtare nëpërmjet rritjes së shërbimeve, të ruajtjesdhe përpunimit” Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë Frida Krifca.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




