Shqipëria e nis me humbje përballë Rumanisë

Basketboll | 3 vite më parë

Shqipëria është mundur me rezultatin 83-87 përballë Rumanisë, në takimin e parë të grupit I të fazës para-eliminatore të Kampionatit Evropian të 2025-ës në basketboll për meshkuj. Sfida e luajtur në Arenën Sportive “Dhimitraq Goga” të Durrësit dhe e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, është mbyllur me fitoren e ngushtë të miqve, në një ndeshje ku kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Antonio Dukas, kanë kryesuar por më tepër kanë shpërdoruar, sidomos në çastet vendimtare.

10-minutëshi i parë ka qenë i barazpeshuar, por kuqezinjtë e fitojnë atë me një pikë epërsi, 22-21, ndërsa ai i dyti është fituar nga rumunët, 23-20 dhe janë ata që shkojnë në pushimin e madh midis dy gjysmave, duke kryesuar me rezultatin 44-42. Edhe 10-minutëshi i 3-të është fituar po me 3 pikë epërsi nga miqtë, të cilët duhet theksuar se kanë vrastarë në gjuajtjet për 3 pikë, duke realizuar afro gjysmat e pikë falë një përqindjeje realizimi prej thuajse 50 %.

10-minutëshi i 4-t dhe i fundit ka qenë i luftuar dhe Shqipëria i ka patur mundësi për ta çuar ndeshjen të paktën në shtesë, por nuk i ka shfrytëzuar ato. Ndonëse kuqezinjtë e fitojnë këtë 10-minutësh 19-18, por kjo nuk mjafton sepse Rumania e fiton takimin me shifrat 87-83, duke e hedhur vështrimin tek ndeshja e radhës, ajo e 22 korrikut me Sllovakinë. Ndërkaq, Shqipëria është mysafire në Sllovaki më 26 korrik në përballjen e radhës.

 

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme