Shqipëria merr kryesimin e SEECP, Begaj: Fokusi, integrimi në BE dhe ekonomia

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, gjatë një vizite në Shkupi, deklaroi se Shqipëria mbetet një mbështetëse entuziaste dhe proaktive e bashkëpunimit rajonal. Ky bashkëpunim, theksoi Presidenti Begaj, përmirëson jetesën e qytetarëve, forcon marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe ndihmon proceset integruese Euroatlantike.
Gjatë një konference për shtyp, në përfundim të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Presidenti Begaj, në krah të Presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova dhe Presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatović, theksoi rëndësinë e forcimit të kësaj organizate për rajonin.
Ndërsa përgëzoi Shkupin për lidershipin dhe vizionin evropian që tregoi gjatë ushtrimit të kryesimit të radhës së SEECP, Presidenti Begaj bëri të ditura prioritetet e Shqipërisë, e cila do të marrë kryesimin e radhës.
Presidenti i Republikës deklaroi se çështjet parësore kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian, rritjen e qëndrueshme ekonomike, Agjendën e Gjelbër dhe Digjitale, turizmin, kulturën dhe ndërlidhshmërinë. Kryesimi nga Tirana për herë të tretë i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), sipas
Presidentit Begaj, krijon lehtësi, pasi kjo udhëheqje do të bazohet në përvojat dhe sukseset e mëparshme.
Gjatë këtij kryesimi, Presidenti Begaj deklaroi se motoja do të jetë “Të formësojmë të ardhmen tonë evropiane”, duke e vendosur integrimin në BE në qendër të drejtimit të radhës së Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




