Shqipëria në ringritje postpandemike

Shqipëria vijon të besojë në ringritjen e shpejtë pas pandemisë. Treguesi i besimit të sipërmarrjes shënoi vlerën më të lartë që nga tremujori i fundit i 2019, që është edhe vlera më e lartë mbi nivelet parapandemike. Besimi i biznesit është shfaqur edhe në treguesit fiskalë të katërmujorit të këtij viti, kur janë tejkaluar të ardhurat e planifikuara nga taksat dhe tatimet.
Treguesi i besimit të industrisë në Shqipëri u rrit në minus 1.5 në tremujorin e parë të 2021, nga minus 11 në periudhën e mëparshme. Kjo është vlera më e lartë që nga tremujori i tretë i vitit 2019 dhe hera e parë mbi nivelet para-pandemike. Përmirësimet janë parë kryesisht në prodhim që ka treguesit 7.6 nga minus 12.8 në krahasim me një tremujor më parë, në pritjet për çmimet e shitjes, pritjet e punësimit, etj.
Treguesit e mësipërm janë shoqëruar edhe më rritjen e shkallës së inflacionit. Kështu, shkalla vjetore e inflacionit në Shqipëri u rrit në 1.9 përqind në Prill të 2021 nga 1.2 përqind në një muaj më parë. Kjo ishte shkalla më e lartë që nga tetori 2020, pasi çmimet përparuan më shpejt për ushqimet dhe pijet jo-alkoolike; për mallra dhe shërbime të ndryshme etj. Në bazë mujore, në prill, çmimet e konsumit u rritën me 0.2 përqind, pas një rritje prej 0.7 përqind në mars
Ky besim i biznesit dhe tregues i shkallës së inflacionit reflektoi edhe performancën paraprake të treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 4 mujore (Janar – Prill 2021).
Ministria e Financave ka përmirësuar ndjeshëm këtë raportim në krahasim me të kaluarën edhe pas një vëzhgimi të bërë më parë nga RTSH. Tabelat e Ministrisë së Financave reflektojnë ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve gjatë periudhës së pandemisë dhe lehtësitë fiskale në shtyrjen e mbledhjes apo zerimin e disa taksave.
Të ardhurat totale për 4-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 103 % të planit të 4-mujorit, ndërsa shpenzimet publike, u realizuan në masën 99% të planit të periudhës. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat kanë rritje prej 19 miliard lekë, ku ndikimin më të ladh e kanë pasur të ardhurat doganore, që u realizuan 20.7% më shumë se 4 mujori 2020. Rritja e importeve për këtë periudhë është reflektuar në rritjen e TVSH në import me rreth 25 për qind më shumë se një vit më parë. Kundrejt planit fiskal të ndryshuar këtë tregues në fakt janë realizuar mbi 100 për qind, por kjo ka të bëjë me planin e ri të të ardhurave të miratuar pas miratimit të buxhetit 2021.
Treguesit e mësipërm flasin për një ringritje të shpejtë të Shqipërisë pandemike, ringritje që ka filluar të reflektohet edhe në parashikimet e institucioneve mbikqyrëse si Fondi Monetar, Banka Botërore apo të tjerë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




