Shqipëria U-16, e pesta në Divizionin C

Tre fitore dhe dy humbje dhe vendi i pestë për Shqipërinë e moshës deri në 16 vjeç në basketboll për vajza në Divizionin C. Në finalen e vendet 5-6 në Andorra La Vella, vajzat kuqezi, të drejtuara nga Eliverta Bujari, kanë fituar me pesë pikë diferencë, 65-60 me Armeninë.
Një ndeshje shumë e ekuilibruar dhe kjo duket edhe në përfundimin e periodës së parë, e cila ishte për armenet, 19-18. 20-13 e dyta për Armeninë, që në pushim ka kryesuar 39-31. Pas pushimit është një tjetër ritëm për skuadrën tonë, e cila ka fituar periodën e tretë 11-19, ndërsa gjithçka është barazuar në shifrat 50-50. Vetëm perioda e katërt ka zgjidhur fituesin, që ishte për Shqipërinë 10-15 dhe në përfundim 60-65 për Shqipërinë, e cila kështu mes tetë ekipeve renditet e pesta.
Lojtarja më e mirë e Shqipërisë në këtë ndeshje ishte Emili Tershalla me 14 pikë të realizuara, 17 kapje topi në tabelë, 4 asist, 1 rrëmbim të topit në aksion e sipër të kundërshtarit dhe 2 blloqe. Por edhe pse kështu, Shqipëria e moshës deri në 16 vjeç edhe sezonin tjetër do të jetë në Divizionin C. Megjithatë brezi i lojtareve të fituara nga ky edicion, përtej rezultateve, mund të bëjnë shumë më mirë sezonin e ardhshëm në kombëtaren e moshës deri në 18 vjeç.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




