Shqipëria, vjen humbja e pestë radhazi

Basketboll | 4 vite më parë

Kombëtarja kuqezi e basketbollit për femra ka zhvilluar të enjten në mbrëmje ndeshjen e 5-të dhe të parafundit në kuadër të grupit të saj të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian 2023. Siç dihet, janë 35 ekipe përfaqësuese të kontinentit që po marrin pjesë në këto Eliminatore dhe Shqipëria ndodhet në grupin D, së bashku me Turqinë, Slloveninë dhe Poloninë. Duhet theksuar se Sllovenia është kualifikuar si një nga vendet organizator të fazës finale të këtij Evropiani dhe vajzat kuqezi të drejtuara nga trajnerja Mirza Alibegaj, kanë qenë mysafire në Ljubljanë për t’u ndeshur pikërisht me përfaqësuesen vendase.

Dhe përtej një rezistence modeste në pjesën e parë, e gjithë ndeshja ka rezultuar në një rrugë me një kalim për përfaqësuesen sllovene, teksa skuadra vendase e ka fituar 10-minutëshin e fillimit me shifrat 30-19. Në fakt, ky ka qenë edhe 10-minutëshi më i mirë për vajzat kuqezi, pasi 3 të tjerët kanë qenë për t’u harruar. Sllovenia e fiton edhe më thellë edhe pjesën e dytë, 33-7, dhe shkon në pushimin e madh midis dy gjysmave me 37 pikë epërsi, 63-26. Edhe 10-minutëshi i 3-të nuk ka qenë ndryshe për vajzat kuqezi, që realizojnë vetëm 9 pikë, teksa vendaset ruajnë ritmin e shënimit të 30 pikëve.

Gjë që vijon edhe në 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit, ku vendaset shënojnë 31 pikë e vajzat kuqezi 17 dhe kësisoj, e gjithë ndeshja mbyllet në favor të Sllovenisë me shifrat 124-52. Tanimë pjesëmarrja e Shqipërisë në këto Eliminatore mbyllet të dielën në Arenën Sportive “Dhimitraq Goga” në Durrës, me ndeshjen e fundit, atë ndaj Turqisë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme