“Shqipërisë i dalim zot”, slogani i protestës, Berisha: Largojmë sa më parë Ramën

Politikë | 4 vite më parë

“Shqipërisë i dalim zot”! Ky do të jetë slogani i Partisë Demokratike të Sali Berishës, në protestën, thirrur prej këtij të fundit më 11 shkurt. Në një konferencë nga selia blu, kreu i PD, zgjedhur nga procesi i Rithemelimit Sali Berisha ka vijuar sërish akuzat për lidhen e kryeministrit Rama me ish-agjentin e arrestuar të FBI-së Charles McGonigal teksa ftoi sërish qytetarët të marrin pjesë në protestë, me qëllim rrëzimin e Ramës.

“Teksa përpiqej të mashtronte se Edi Rama nuk është nën hetim për aferën McGonigal, që përbën krizën më të rëndë në fushën e zbulimit, aktin më të shëmtuar në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, dëshminë më flagrante për Edi Ramën si njeri, që nuk ka asnjë normë morale, asnjë parim, asnjë princip dhe që është i aftë të ndërmarrë çdo akt për llogari të karriges së tij, minimumi, për të mos thënë se ka edhe shkaqe që nuk i dimë. Por, tek rrekej i shkretuar në shpirt për të mashtruar shqiptarët, i vjen si bombë njoftimi se ka filluar një hetim i dytë për Edi Ramën, krahas prokurorit të SHBA. Tashmë është Kongresi i SHBA që është përqendruar në një hetim të plotë për aferën McGonigal. Kongresmenët Jordan dhe Gaetz njoftojnë se kanë vendosur të hetojnë çdo dokument të McGonigal, pra çdo dokument ku emailet e Edi Ramës kanë shkuar në kundërshtim me çdo ligj në emailin zyrtar sekret të McGonigal.

McGonigal ka dy dosje, njëra është dosja njujorkeze, tjetra është dosja shqiptare. Pra, do hetohet çdo dokument.Kongresmenët kërkojnë të mësojnë se çfarë po bën FBI për të hetuar influencat e papërshtatshme të aktorëve të huaj mbi zyrtarët e FBI siç është McGonigal. Pra influenca e Edi Ramës mbi McGonigal”, tha Berisha.

“U bëj thirrje shqiptarëve, më datë 11 ta krrejmë nga detyra atë person, atë parazit, atë hajdut që nuk ka asnjë normë dhe standard. Këtë njeri që bën 137 udhëtime me avion personal, duke harxhuar 22 milionë euro, duke shtuar këto rrogat e personelit të ‘Ismailit’, milionat shtohen edhe më shumë, se ai ka një personel të gjerë në shërbim të kryeministrit. Pra, duhet të largohet menjëherë dhe sa më shpejt”, tha Berisha.

Deputetët e PD së Rithemelimit kanë dorëzuar këtë të premte në Kuvend, kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor, ku kërkojnë  zbardhjen e lidhjes, sipas tyre, të Kryeministrit Edi Rama me ish-zyrtarin e arrestuar të FBI-së, Charles McGonigal. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme