Shuhet “Macja e Zezë” e portës shqiptare

Sporte të tjera | 4 vite më parë

Futbolli shqiptar është në zi, sepse është ndarë nga jeta në moshën 94-vjeçare simboli portës shqiptare, Sulejman Maliqati. I mbiquajturi “Macja e Zezë” e futbollit shqiptar, apo “Heroi i Lajpcigut”, ai ishte mbrojtësi i sigurt i portës së Partizanit dhe kombëtares shqiptare, në periudhën 1950-1964. Para pesë ditësh, Maliqati është rrëzuar dhe është dëmtuar rëndë. Me gjithë përkujdesjen e mjekëve, ai nuk mundi t’i përballonte dëmtimet dhe nuk mbijetoi.

Durrësi, por dhe gjithë bota e sportit, do t’i japin nesër lamtumirën për në banesën e fundit, Sulejman Maliqatit, portierit legjendar të kombëtares shqiptare. Dy vite më parë, Maliqati u nderua nga Presidenti Meta me titullin e lartë “Nderi i kombit”, ndërkohë që për kontributin e dhënë ndër vite në sportin e futbollit portieri legjendar është nderuar edhe me titullin “Qytetar nderi” i Kavajës dhe “Mjeshtër i merituar i sportit”.

Ai do të mbahet mend si futbollist, trajner, kuadër i edukimit fizik, baba i dhembshur, bashkëshort i përkushtuar, gjysh ideal, shok dhe mik gati i të gjithë shqiptarëve. Homazhet për 94-vjeçarin që mbylli sytë pasditen e të mërkurës do të zhvillohen në hollin e Pallatit të Kulturës në Durrës, në orën 13.00-15.00.

Kortezhi mortor do të niset në orën 15.00 drejt varrezave të qytetit, ndërkohë që pritet që qindra qytetarë t’i bashkohen homazheve për “macen e zezë” të portës së kombëtares shqiptare, që lindi më 1 gusht 1928 në qytetin e Kavajës.

 

 

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme