Shuhet në moshën 83-vjeçare Mjeshtri i Madh i baletit shqiptar, Albert Janku

Shuhet në moshën 83-vjeçare, një nga figurat më të spikatura të Baletit shqiptar, Albert Janku. Lajmin e bën të ditur Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, ku dhe nëpërmjet një postimi në Facebook, i shpreh ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve të botës së baletit e artit.
“Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, me hidhërim të thellë mësoi për ndarjen nga jeta, në moshën 83 – vjeçare, të një nga figurave më të spikatura të Baletit, Artistit të Merituar” Albert Janku.
Një ndër solistët e parë të baletit shqiptar, i cili ka zënë një vend të rëndësishëm nderi në jetën artistike dhe në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit. Një karrierë që e nisi në vitin 1955 si kërcimtar e si solist i baletit dhe për 40 vite me rradhë i dhuroi skenës shqiptare me dhjetra role.
Spikasin rolet në baletet kombëtare si atë të Jonuz Bruges në baletin “Bijtë e Peshkatarit”, të komisarit në baletin “Fatosi Partizan” të Benit në rapsodinë koreografike “Historia e një kënge”, atë te Bektash Agës në baletin “Halili dhe Hajria”, të Don Markut në baletin “Cuca e Maleve”. Interpretues i shumë roleve edhe në baletet e huaja të vëna në skenë nga Teatri i Operas dhe Baletit si në baletin “Francesca da Rimini”, baletin “Lola”, “Fadeda”, “Zhurale”, “Laurencia”, “Don Kishot: etj.
Albert Janku ka marrë pjesë edhe në një seri numrash koncertalë të dhëna në TKOB dhe jashtë kufijve të vendit me trupën e baletit dhe atë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ku ka spikatur talenti i tij duke marrë vlerësime nga kritika e publiku.
Nderuar me titullin “Artist i Merituar”, edhe pse në moshë të thyer nuk u shkëput nga ky teatër, duke ndjekur me vëmendje çdo shfaqje që është vënë në skenë. Nuk ka munguar kontributi i tij edhe në fushën e pedagogjisë, si koorepetitor, konsulent në mjaft balete, autor i shumë artikujve mbi baletin, portrete artistësh e monografish.
Në emër të drejtuesve dhe artistëve të TKOBAP-së, i shprehim ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve të botës së baletit e artit. U prehtë në paqe!”, shkruhet në postimin nga Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




