Si do të shpërndahen 500 mln lekë shtesë në bujqësi?

Qeveria ka miratuar një shtesë fondesh për Ministrinë e Bujqësisë në vlerën e 500 milionë lekëve. Vendim ky që ishte parashikuar që në fillim të hapjes së aplikimeve për skemën kombëtare të subvencioneve 2024, pasi fondi i vënë në dispozicion prej 3.2 miliardë lekësh ishte i pamjaftueshëm në raport me fluksin e aplikimeve nga ana e fermerëve.
Numri i aplikantëve arriti në më shumë se 71 mijë, ku interes të lartë ka pasur për naftën pa akcizë për punime të mekanizuara në bujqësi.
Por si do të ndahet kjo shtesë në buxhet?
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, shtesa do të shkojë si mbështetje për fermerët për ndërtimin e serave të reja. Për herë të parë do ti kushtohet vëmendje ndërtimit të rrjetave antibreshër. Vitet e fundit , “pabesitë” e motit në kulmin e prodhimit kanë sjellë dëme të mëdha për prodhuesit.
Fondi parashikohet të kanalizohet edhe në ndërtimin e stallave. Para pak kohësh Ministria e Bujqësisë miratoi një udhëzim për ndërtimin e sallave sipas standardeve të larta. Mekanizimi i sektorit të bujqësisë gjithashtu do të marrë vëmendje, duke përshpejtuar procese të ndryshme në këtë sektor.
Po ashtu do ti jepet rëndësi shtimit dhe përmirësimit të ujitjes dhe kullimit, si një zë shumë i rëndësishëm për të garantuar rritjen e prodhimit dhe cilësinë e tij. Në sektorin e peshkimit fondet do të kanalizohen për rrjetat, me qëllim rritjen e zënieve në det.
Ekspertët shpesh herë kanë nënvizuar se mbështetja për fermerët është shumë e ulët në raport me atë që japin vendet e rajonit dhe se nevojat për fondin e dhënë në formë grantesh arrijnë në rreth 100 milionë euro në vit. Megjithatë duke marrë në konsideratë dy vitet e mëparshme dhe perfomancën që do të kenë të ardhurat në buxhet, bujqësia mund të jetë përfituese e një shtese tjetër financimi.
Buxheti total fillestar i Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2024 ishte programuar në rreth 14.2 miliardë lekë.
Sipas SCAN TV
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




