Si e perceptojnë qytetin e tyre ideal nxënësit përmes pikturave?

Ditën e martë, 1 qershor 2021, në mjediset e Europe House në Tiranë, qendra ABC Tirana Club prezantoi projektin artistik “Qyteti im evropian”, edicioni i parë.
“Qyteti im evropian” është një format artistik, që prezanton kryesisht krijime në pikturë, në qytete të ndryshme të vendit, si një kontribut i lirë i nxënësve, shprehje përmes gjuhës së krijimit mbi konceptin dhe ëndrrën e tyre për qytetin ku ata banojnë.
Sipas organizatorëve, projekti synon të nxisë talentin dhe shprehitë artistike mes fëmijëve, mbi atë se si ata e mendojnë qytetin me mjedise të jetueshme, me mjedise të gjelbërta, me hapësira të bollshme, ku ata mund të luajnë, të argëtohen, pra ta kalojnë sa më mirë kohën e lirë me bashkëmoshtarët e tyre.
“Me gjuhën e pikturës ata shprehin problematikat që ka qyteti për mbrojtjen e mjedisit, për reduktimin e ngrohjes globale, për ruajtjen e trashëgimisë dhe historisë, kundër betonizimit dhe ndërtimeve pa kritere urbane etj.” – u shpreh Johan Muka, drejtues i ABC Tirana Club
Në ekspozitë u paraqitën rreth 40 punime të nxënësve nga klasa e 6 deri në të 9-n. Përmes gjuhës artistike ata shprehën vlerësime dhe perceptime për mënyrën se si menaxhohet qyteti, si e mendojnë qytetin ideal, qytetin me profil evropian, që ruan standarde për jetesën e shëndetshme, për aktivitetin dhe argëtimin e fëmijëve, por dhe për gjeneratat e tjera në komunitet. Pjesë e projektit ishte dhe promovimi dhe nxitja e talenteve të reja në pikturë.
Aty u paraqit dhe një koleksion punimesh në pikturë nga nxënësja e klasës 7 Ami Tartari, që u vlerësua shumë nga të pranishmit. Koleksioni përfshinte punime të realizuara në dy vitet e fundit nga Ami, të përzgjedhura nën kujdesin e profesor Artan Peqinit.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 8 qershor 2021, në oraret 10.00 – 12,00 dhe 14.00 – 16.00.
ABC Tirana Club njoftoi se “Qyteti im evropian” do të organizojë dhe edicione të tjera, duke lëvizur në rajone të tjera të vendit, për të promovuar dhe nxitur sa më shumë nxënës që pëlqejnë dhe ushtrojnë artin; që ndajnë idetë dhe talentin me problematikat e komunitetit, me problematikat e qytetit të tyre.

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




