Sistemet kufitare dhe mbikëqyrja, Ministria e Brendshme gati projektligjin e ri të menaxhimit

Aktualitet | 2 vite më parë

Menaxhimi i Pikave të Kalimit Kufitar të Shqipërisë ajrore, detare e tokësore me vendet e rajonit pritet që t’i nënshtrohet disa ndryshimeve, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me sistemet kufitare, mbikëqyrje dhe infrastrukturën e tyre.

Kjo çështje po trajtohet në një projektligj të ri, i cili është hartuar nga Ministria e Brendshme dhe është hedhur për diskutim për palët e interesuara.

Sipas këtij projektligji, së pari synohet që të sigurohet rritja e nivelit të përputhshmërisë me standardet evropiane dhe ato Shengen, në aspektin legjislativ, administrativ e institucional në fushën e menaxhimit të integruar të kufijve, veçanërisht në fushën e kontrollit dhe mbikëqyrjes së kufirit, forcimi i bashkëpunimit mes agjencive dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Së dyti, synohet përmirësimi i Sistemit për mbikëqyrjen e hapësirës detare, kontrollit kufitar dhe kërkim shpëtimit në det.

Së treti, kërkohet reduktimi i vulnerabilitetit (ndjeshmërisë) në kufi duke reaguar në mënyrë më efektive me vendosjen e burimeve të disponueshme, bazuar në analizën e rrezikut të kryer dhe kërcënimit që mund të ndikojë në sigurinë kufitare.

Së katërti, synohet bashkëpunim i zgjeruar ndërinstitucional në menaxhimin e integruar të kufijve për të përmirësuar qarkullimin ndërkufitar, përmirësimin e sigurisë kufitare, luftën ndaj krimit ndërkufitar, mbrojtjen e jetës, shëndetit e pronën e njerëzve, shëndetin e kafshëve, bimësinë dhe ekosistemet përgjatë kufirit shtetëror.

Së pesti,  forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht BEsë dhe Agjencinë Evropiane të Rojes Kufitare dhe Bregdetare (FRONTEX), për çështjet e kufijve, parandalimin e migracionit të paligjshëm, krimin ndërkufitar dhe ripranimin e personave me qëndrim të parregullt.

Së gjashti, synohet përmirësimi i infrastrukturës në Pikat e Kalimit Kufitar me qëllim krijimin e kushteve që sigurojnë kalim të lehtësuar e të sigurt të shtetasve e mallrave.

Po kështu rritja e forcës zbuluese kundër krimit ndërkufitar nëpërmjet rritjes së profesionalizimit dhe kapaciteteve teknike e strukturore për goditjen e fenomenit të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara për kalimin e kufirit.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme