Sistemet raketore amerikane për Ukrainën nuk kanë për qëllim të godasin Rusinë, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë

Shtetet e Bashkuara do t’i ofrojnë Ukrainës sisteme të avancuara raketash për t’i përdorur në mbrojtje kundër forcave ruse, por jo për sulme brenda Rusisë, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë të mërkurën ndërsa Uashingtoni kërkon të frenojë përshkallëzimin e konfliktit, shkruan Reuters.
Presidenti i SHBA Joe Biden ka rënë dakord t’i sigurojë Ukrainës sisteme raketash që mund të godasin me saktësi objektivat ruse me rreze të gjatë, si pjesë e një pakete armësh prej 700 milionë dollarësh që pritet të zbulohet të mërkurën.
Jonathan Finer, zëvendës këshilltari për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, tha se ukrainasit kanë kërkuar sistemin dhe Uashingtoni beson se ai do të përmbushë nevojat e tyre.
“Ne u kemi kërkuar ukrainasve garanci se nuk do t’i përdorin këto sisteme për të goditur brenda Rusisë. Ky është një konflikt mbrojtës që po zhvillojnë ukrainasit. Forcat ruse janë në territorin e tyre,” tha Finer në një intervistë për CNN.
Ka objektiva të rëndësishëm që ukrainasit nuk mund t’i arrijnë me armët që kanë aktualisht, tha Finer, dhe sistemi i raketave do të bëjë një ndryshim të madh në konfliktin në pjesën juglindore të vendit, ku forcat ruse janë aktualisht të përqendruara.

Një zyrtar i lartë i administratës tha të martën se Ukraina ka dhënë garanci se nuk do të përdorë raketat me rreze të gjatë për të goditur brenda Rusisë.
Paketa gjithashtu municione, radarë kundër zjarrit, një numër radarësh të mbikqyrjes ajrore, raketa shtesë kundër tankeve Javelin, si dhe armë kundër armaturës, thanë zyrtarët.
Zyrtarët ukrainas u kanë kërkuar aleatëve sisteme raketash me rreze më të gjatë që mund të lëshojnë një breshëri raketash qindra milje larg, me shpresën për të kthyer valën në luftë, e cila është në muajin e saj të katërt.
Një zyrtar rus tha se Moska e shikonte zhvillimin “jashtëzakonisht negativisht”. Finer, megjithatë, tha se Biden i kishte thënë drejtpërdrejt presidentit rus Vladimir Putin se cilat do të ishin pasojat e çdo pushtimi në Ukrainë.
“Ne po bëjmë pikërisht atë që kemi thënë se do të bëjmë,” tha ai. “Rusia e ka sjellë këtë në vetvete duke nisur një pushtim në një vend sovran nga territori i saj.”
Mijëra njerëz janë vrarë në Ukrainë dhe miliona të tjerë janë zhvendosur që nga pushtimi rus më 24 shkurt.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj i ofrojnë Ukrainës armë gjithnjë e më të sofistikuara, Uashingtoni ka zhvilluar diskutime me Kievin për rrezikun e përshkallëzimit nëse godet thellë brenda Rusisë, kanë thënë zyrtarë të SHBA dhe diplomatikë për Reuters.
Inteligjenca amerikane ka paralajmëruar gjithashtu për rreziqe në rritje.
Biden u tha gazetarëve të martën se “ne nuk do të dërgojmë në Ukrainë sisteme raketash që godasin Rusinë”. (Sipas Reuters)
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




