Situata në veriun e Mitrovicës, Alibeaj: Dialogu Kosovë-Serbi, rruga më e mirë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve

Politikë | 4 vite më parë

Partia Demokratike ka ndekur me vëmendje dhe shqetësim situatën në veriun e Mitrovicës. Në një reagim në Facebook Kreu i Grupi Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj shprehet se PD mbështet hapat e ndërmarra nga institucionet e Kosovës për zbatimin e regjimit të reciprocitetit me Serbinë, ndërsa konsideron si provokative dhe luftënxitëse deklaratat e zyrtarëve të lartë të Federatës Ruse.

Në reagim ai shkruan se PD mbështet dialogun Kosovë-Serbi si rruga më e mirë e zgjidhjes paqësore e mosmarrëveshjeve reciproke.

“Partia Demokratike mbështet hapat e ndërmarra nga institucionet e Kosovës për zbatimin e regjimit të reciprocitetit me Serbinë. Në të njëjtën kohë përshëndesim bashkërendimin e plotë të institucioneve të Kosovës me partnerët strategjikë dhe KFOR-in.

Partia Demokratike e konsideron si provokative dhe luftënxitëse deklaratat e zyrtarëve të lartë të Federatës Ruse.

Federata Ruse duhet të ndalë deklaratat dhe qëndrimet konfliktnxitëse në një rajon që e ka të përcaktuar qartë orientimin euroatlantik. Federata Ruse nuk ka asnjë lidhje me Kosovën, një vend i cili është përcaktuar qartë strategjikisht në aleancë me demokracitë euroatlantike.

Partia Demokratike u kërkon qytetarëve të Kosovës që me besim të mbeshtesin vullnetin e institucioneve të Republikës së Kosovës në konsolidimin e shtetësisë dhe të pavarësisë.

Ne mbeshtesim dialogun Kosovë-Serbi si rruga më e mirë e zgjidhjes paqësore e mosmarrveshjeve reciproke.

Partia Demokratike fton Serbinë dhe lidershipin e saj të kuptojnë se procesi i njohjes reciproke Serbi – Kosovë është kontributi i tyre real për një Ballkan në paqe dhe të integruar në familjen europiane“, shkruan Alibeaj.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme