Skandali te Onkologjiku, Vokshi: Koçiu, Manastirliu dhe Manja duhet të shkarkohen ose dorëhiqen

Deputetja demokrate Albana Vokshi ka akuzuar Ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu, ish-ministren e Shëndetësisë, njëherësh ministre e Arsimit, Ogerta Manastirliu dhe Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja mbi skandalin te Spitali Onkologjik.
Vokshi u shpreh se Koçiu, Manastirliu dhe Manja ose duhet të ishin shkarkuar, ose duhet të ishin dorëhequr, pasi sipas deputetes, kanë qenë në dijeni mbi skandalin.
“Të paktën 3 ministra, Koçiu, Manastirliu dhe Manja, sot nuk duhet të ishin të ulur në ato karrige, ata ose duhet të ishin shkarkuar ose duhet të ishin dorëhequr sepse kanë qenë në dijeni për skandalin te Onkologjiku. Dje nxituan të hidhnin baltë te mjekët. Kokat e korrupsionit janë këto 3 ministra, drejtuesit e QSUT”, tha Vokshi.
Në të njëjtën linjë është shprehur dhe deputetja demokrate Ina Zhupa e cila u shpreh se ish-ministrat e Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe Ogerta Manastirliu do duhet të ishin në burg.
“Nga 5 kriminelë që u kapën nga bluzat e bardha ju s’keni kuptuar asgjë nga realiteti dhe mundoheni të fshiheni pas gishtit, sistemi shëndetësor sot nuk vuan vetëm nga 5 kriminelë që u kapën në përgjigje. Sistemi shëndetësor është kriminalizuar nga qeverisja juaj.
Sot ministrat tuaj duhet të ishin në burg.
Ata ish-ministra, që nga Beqaj e Manastirliu, duhet të ishin prapa hekurave dhe të kishte ndryshuar sistemi shëndetësor. Koçiu duhet të kishte marrë raportet e KLSH dhe të kishte lexuar për ato shkelje. Se përse ekziston ministria kur nuk ka asnjë sistem administrimi, asnjë sistem kontrolli. Do duhet të zbulohen 5 përgjigje që ministrja të dijë se nuk funksionojnë aparaturat?”, tha Zhupa.
Skandali në spitalin e Onkologjikut u zbulua nga Prokuroria e Tiranës pas denoncimit të një familjari. Prokuroria ka zbuluar se pacientëve që ishin të sëmurë me tumor këta mjekë nuk i jepnin shërbimin, por i orientonin që të shkonin te klinika private “Megis” në pronësi të mjekut Edmond Gashi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




