Kosova zgjedh sot kryetarët e 38 komunave, mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote
Këtë të diel, (12 tetor), qytetarët e Kosovës u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët dhe anëtarët e 38 komunave të vendit.
2,025,105 votues brenda territorit të Kosovës pritet të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, ndërsa 43,993 qytetarë janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë vendit.
Të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00.
Për mbarëvajtjen e procesit do të angazhohen Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komisioni i Pavarur i Mediave.
Sipas KQZ-së, sot janë hapur 38 qendra votimi për votim me kusht, me gjithsej 54 vendvotime. Votimi me kusht lejohet vetëm brenda komunës ku është i regjistruar votuesi.
Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote është 2,069,098.
Në këto zgjedhje marrin pjesë gjithsej 93 subjekte politike – 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 5,624, prej tyre 205 për kryetarë komunash dhe 5,419 për kuvendet komunale. Ndërkaq, votues të rinj janë 33,540, ndërsa 26,654 janë 18-vjeçarë që votojnë për herë të parë.
KQZ: Procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, ka konfirmuar se procesi i votimit për zgjedhjet lokale në ka nisur në të gjitha qendrat e votimit.
Përjashtuar disa vonesa të vogla në ndonjë vendvotim të izoluar.
Zëdhënësi Valmir Elezi tha se janë hapur gjithsej 948 qendra të votimit me 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 janë për votim të rregullt me gjithsej 2,571 vendvotime, ndërsa 38 qendra të veçanta janë hapur për votimin me kusht, me 54 vendvotime, një për secilën komunë.
Kurti: Sot vendosim për katër vitet e ardhshme në komunat tona
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka votuar sot në kuadër të zgjedhjeve lokale që po mbahen në të gjithë vendin. Në një prononcim për median, Kurti e cilësoi ditën e sotme si një ditë të rëndësishme për të ardhmen e komunave në Kosovë.
“Sot është një ditë e rëndësishme, votojmë për të vendosur për katër vitet e ardhshme në komunat tona. Votojmë për çerdhe, për shkollën, për ujin, për shëndetin, për shërbimet dhe për infrastrukturën në lagjet e qyteteve dhe fshatrave ku jetojmë”, tha Kurti pas votimit.
Osmani: Sa më e madhe pjesëmarrja, aq më e fortë demokracia
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka hedhur votën e saj në Fakultetin Teknik në Prishtinë, në kuadër të procesit zgjedhor që po zhvillohet në gjithë vendin. E para e vendit e cilësoi këtë ditë si një moment të rëndësishëm për demokracinë dhe shtetin.
“Siç e dini, sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë e vendit tonë. Sa më masive pjesëmarrja në procese zgjedhore dhe sa më i rregullt e i lirë procesi, aq më e fortë do të jetë demokracia jonë”, theksoi ajo.
Presidentja shprehu shpresën që procesi të zhvillohet në të mirë të qytetarëve, me një votim të lirë dhe të mbrojtur për të gjithë.
“Shpresoj që ky të jetë një proces ku vota do të mbrohet me çdo kusht dhe do të jetë e lirë për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim. Si rezultat, Kosova do të dalë edhe më e fortë nga këto zgjedhje”, tha Osmani.
Votojnë kandidatët për kryetarë komunash: Thirrje qytetarëve të marrin pjesë masivish në zgjedhje
Kandidatët për kryetarë komunash kanë hedhur votën e tyre ndërsa i bën thirrje votuesve të marrin pjesë masivish në procesin elektoral për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për 4 vitet e ardhshme.
Pas hedhjes së votës së tij, Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, theksoi se ky proces, është një mundësi e rëndësishme për qytetarët që të shprehin vullnetin e tyre dhe të ndikojnë në formimin e qeverisjes nëpër komunat e tyre.
“Katër vite janë shumë dhe verdikti i tyre duhet të jetë ai i cili vendos për të ardhmen e tyre, për një jetë më të mirë për ta. Besoj që sot do të jetë një ditë feste për qytetarët ane e mbanë”.
Kryetar i LDK-së, Lumir Abdixhiku e konsideroi ditën e sotme një ditë feste.
“Zgjedhjet në Kosovë gjithmonë kanë qenë shembull dhe do të mbesin festë, festë e madhe e demokracisë. Janë ditë kur vendimmarrja kthehet te qytetarët për katër vitet e ardhshme, për lagjet, qytetet dhe komunat e tyre,” tha Abdixhiku.
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, pasi votoi tha se sot është dita për të marrë vendime, ndaj ftoi qytetarët të dalin të votojnë dhe të vendosin.
Edhe për kandidatin e Vetëvendosjes për Prishtinën, Hajrulla Çeku dita e zgjedhjeve të jetë ditë feste.
“Besoj që kjo ditë do të jetë e tillë, pas një fushate të qetë dhe përgjithësisht konstruktive. Sot jemi këtu për ta ushtruar të drejtën tonë demokratike, të cilën duhet ta bëjnë të gjithë qytetarët pa dallim, deri në fund të ditës kur mbyllen të gjitha vendvotimet”, shtoi ai ndërsa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike deri në përmbylljen e procesit zgjedhor.
Kandidat i PDK-së, Uaran Ismali qytetarët që të dalin të gjithë pa dallim të votojnë.
“Sot është një ditë e mirë për Prishtinën në të cilën vendosim të gjithë për të ardhmen e saj për katër vitet e radhës…Ftoj të gjithë qytetarët që të dalin të gjithë pa dallim të votojnë, ta shfrytëzojnë këtë mundësi të madhe që e kemi, për t’i dhënë Prishtinës atë që e meriton si një kryeqytet që ka nevojë të jetë simbol për të gjithë ne”, tha Ismaili.
Edhe Kryetari i Listës Serbe në Kosovë, Zlatan Elek, i bëri thirrje të gjithë qytetarëve të komunës së veriut të Mitrovicës të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
“Siç edhe ju e përcollët, unë me kolegun tim e shfrytëzova të drejtën time për të votuar. Procesi zgjedhor në përgjithësi po shkon pa probleme të mëdha dhe do të doja ta shfrytëzoja këtë mundësi për t’i ftuar të gjithë qytetarët e komunës së veriut të Mitrovicës të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe të votojnë në zgjedhjet e sotme”, tha pas votimit Elek.
KQZ: 7.84% e qytetarëve kanë votuar deri në orën 11:00
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se deri në orën 11:00, në zgjedhjet që po zhvillohen, kanë votuar 7.84% e qytetarëve me të drejtë vote.
Sipas të dhënave preliminare nga rreth 94% e vendvotimeve, numri i qytetarëve që kanë votuar është 158,691 nga gjithsej 2,025,105 votues të regjistruar.
Radoniqi gjithashtu njoftoi se deri tani nuk janë raportuar parregullsi që mund të cenonin integritetin dhe mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit zgjedhor.
“Deri në të njëjtën kohë, në Zgjedhjet Lokale të vitit 2021, kishin votuar 152 mijë votues apo 8.2% e votuesve nga 1 milionë 885 mijë e 448 votues“, shtoi ai.
KQZ: Deri në orën 13:00, votuan 16.11% e votuesve
Sipas të dhënave zyrtare, deri në orën 13:00, kanë votuar 272,177 qytetarë nga 2,025,105 votues të regjistruar, që përbën 13.44% të pjesëmarrjes në nivel vendi.
Nga gjithsej 2,571 vendvotime, janë procesuar 2,014 ose 78.34% e tyre.
Procesi zgjedhor po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa incidente serioze të raportuara deri në këtë orë. Pritet që pjesëmarrja të rritet ndjeshëm gjatë orëve të pasdites, kur tradicionalisht qytetarët dalin më shumë në qendrat e votimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




