SPAK kërkon arrestimin, reagon deputeti i PS, Bllako: Dorëzoj mandatin e deputetit, pafajësia ime lehtësisht e provueshme

Politikë | 5 vite më parë

Vetëm pak minuta më parë, deputeti socialist, Alqi Bllako, ka reaguar për herë të parë pas kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit parlamentar, me qëllim arrestimin e tij me akuzën “për shpërdorim deytyre”, lidhur me inceneratorët.

Zoti Bllako, pasi shpreh tronditjen nga kërkesa e SPAK-ut për ndalimin e tij, komenton se kemi të bëjmë me një proces të paragjykuar. Deputeti shprehet se pafajësia e tij është lehtësisht e provueshme. “Kam vendosur që ditën e nesërme t’i paraqes Kryetares së Kuvendit dorëzimin e mandatit tim si deputet i Republikës së Shqipërisë. Mezi pres t’u provoj të vërtetën dhe të drejtën e pastër miqve, dhe padyshim armiqve”, deklaron Bllako, në një postim të tij në mediat sociale.  

Postimi i plotë i deputeti, Alqi Bllako

Të nderuar miq!

Natyrisht jam i tronditur nga kërkesa e SPAK-ut për ndalimin tim. Kam bindjen e thellë që një proces i paparagjykuar dhe i drejtë do ta provonte lehtësisht pafajësinë time; me bindjen e palëkundur se as kam shkelur kurrë ligjet e vendit e madje as kam thyer kurrë etikën e detyrës që kam ushtruar!
Sidoqoftë, nuk ka arsye të angazhohet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për këtë çështje dhe as nuk dua të përfitoj apo të më ofrohet një trajtim ndryshe nga çdo qytetar tjetër i vendit tonë.

Unë nuk kam mburojë mandatin e deputetit, por të vërtetën për pafajësinë time. Këtë do ta provoj në gjykatë dhe përpara opinionit publik.

Prandaj kam vendosur që ditën e nesërme t’i paraqes Kryetares së Kuvendit dorëzimin e mandatit tim si deputet i Republikës së Shqipërisë, dhe të përballem me akuzën pa asnjë privilegj. Si një qytetar i zakonshëm, si prind dhe familjar i përgjegjshëm; dhe mbi të gjitha si një shërbëtor publik, që padyshim e kupton se çdo angazhim vjen edhe me çmimin e përbaltjes politike apo edhe me detyrimin e sqarimit të së vërtetës para drejtësisë!

Ju jam thellësisht mirënjohës për mbështetjen!

Mezi pres t’u provoj të vërtetën dhe të drejtën e pastër miqve, dhe padyshim armiqve!

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme